Politike

Negociatat, “molla e sherrit” politik

Hapja apo jo e negociatave, më saktë marrja apo jo e një date për këtë vendim është shndërruar shpejt në “mollën” e radhës të sherrit në politikën shqiptare.

Raporti i ministrave të Jashtëm të BE-së u publikua në orët e pasdites së të martës. Pak pas kësaj, Edi Rama postoi në rrjetet sociale mirëpritjen për këtë raport, që thotë se jep një datë të qartë. Po përmes rrjeteve sociale, Lulzim Basha e konsideronte një refuzim të hapur të Shqipërisë nga ana e Këshillit.

E marta u mbyll me këto dy deklarata mes tyre, që paralajmëruan përshkallëzimin e retorikës për të mërkurën. Në përshëndetjen e mëngjesit të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Edi Rama akuzon “tradhtarët”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155913804076523/

“Në të njëjtat orë që Këshilli Europian postonte një kartolinë përgëzimi për të gjithë shqiptarët, pas dakordësisë aspak të lehtë për datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë, esadistët e rinj të Shqipërisë hidhnin gurët e akuzave të tyre vulgare kundër qeverisë si fajtore për një dështim imagjinar në Europë! Me lutjen që të mos u’a harroni këto shfaqje të pafundme brutaliteti kundër qëllimit tonë të përbashkët dhe vetë Shqipërisë, ju uroj një ditë të bukur”, shkroi ai së bashku me urimin e mëngjesit.

Përgjigjen e Bashës e mori pas mesditës, kur kreu i demokratëve doli në një konferencë për shtyp. Këmbënguli se Shqipëria jo vetëm që nuk ka marrë një datë, por rrezikon që të refuzohet edhe qershorin e ardhshëm. Për refuzimin, sipas tij, fajin e ka qeveria e lidhur me krimin.

Lulzim Basha në konferencën për shtyp

“Mos hapja e negociatave është refuzim ndaj krimit dhe korrupsionit që ka pushtuar Shqipërinë nën udhëhqjen e Ramës. Është refuzim i politikës së kapur nga krimi dhe i ekonomisë së kontrolluar nga paratë e drogës dhe të krimit. Mënyra sesi Edi Rama po e trajton këtë dështim politik të paralajmëruar tregon fare qartë se, nëse nuk bëjmë një kthesë të madhe, i njëjti refuzim na pret edhe pas një viti. Zgjedhja e Ramës nuk është Europa, por krimi, korrupsioni dhe droga. Ai është pengesa që na mban larg Europës. Ne do të bëjmë gjithçka për ta çliruar vendin nga kjo e keqe.”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati solli në kujtesë rastin e Malit të Zi dhe Serbisë për të argumentuar se përse vendimi i Këshillit është pozitiv për Shqipërinë.

“BE ka vendosur një precedent në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë, ku nisja e bisedimeve për anëtarësim nuk filloj menjëherë, por u përcaktua një afat kohor, i ngjashëm me të njëjtën logjikë që ka përdorur edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, shprehet ai.

Në lojë u përfshinë edhe ndërkombëtarët. Reagimet e tyre nuk kishin entuziazmin e qeverisë për vendimin e Këshillit, por nuancat po.

Përgëzojmë Shqipërinë për vendimin pozitiv në lidhje me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe tani nevojitet të rrisë përpjekjet për të përfunduar reformat kyçe. Ne e nxisim Shqipërinë që të rrisë ritmin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”, tha ambasada amerikane përmes një njoftimi për shtyp.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin lexon tre gjëra pozitive në vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Ambasadorja e BE në Tiranë Romana Vlahutin

“Njohja e rekomandimit të Komisionit Europian dhe e të gjithë punës, e dyta kalendari një datë e qartë dhe e treta, Këshilli ka pranuar që Komisioni të nisë punën përgatitore me Shqipërinë. Është një punë mjaft e madhe përgatitore që do të kryhet nga ana e BE dhe Shqipërisë”, tha ajo.

Për punën përgatitore nuk do të jetë Vlahutin, por pasuesi i saj. Megjithatë, pyetjes nëse negociatat do të hapen në qershor, ashtu siç Këshilli “mirëpret pozitivisht progresin e Shqipërisë”, ambasadorja e BE-së nuk është në gjendje që t’i japë një përgjigje të prerë.

“Nuk mund të parashikoj çdo të ndodhë, por ne jemi të lumtur se na jep mundësi për të filluar lëvizjet më shpejt”, deklaroi ajo.

Por, as Donald Lu dhe Romana Vlautin nuk i shpëtuan sulmit të Lulzim Bashës, që shkeli disi zotimin e vet për të mos komentuar deklaratat e ambasadorëve në Tiranë dhe foli për “dëshmi të rreme” të tyre.

“Dështimi i sotëm është dështimi edhe i atyre që dhanë dëshmi të rreme, u bënë njësh me propagadën e Edi Ramës, nuk panë drogën, nuk panë krimin, nuk panë korrupsionin”, tha ai.

Nga ana e tij, Presidenti Ilir Meta ruajti pozicionimin mbi palët dhe i mëshoi nevojës për bashkëpunim.

“Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues, pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim”, deklaroi Meta.

Sa për afatet, në skenarin më optimist, Shqipëria pritet që të ulet në tryezë me Bashkimin Europian në fund të vitit 2019, gjithmonë nëse në qershorin e ardhshëm nuk do të ketë një surprizë të pakendshme, nisur nga fakti që në maj në vendet anëtare do të votohet për Parlamentin e ri Europian.

Sondazhet, por edhe rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në shumë shtete të bllokut sugjerojnë një rritje të ndjeshme të ekstremistëve dhe euroskeptikëve në këtë institucion, çka do të sfidonte jo vetëm strategjinë e zgjerimit, por edhe vetë ekzistencën e BE-së në formën aktuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë