Politike

Negociatat, ministri gjerman Roth: Koha më e mirë në qershor

Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth (SPD) kërkon një vendim të BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor, ndërsa Unioni po kërkon më tepër kohë në Bundestag.

Për sa i takon Michael Roth, Bashkimi Europian duhet të marrë një vendim për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë qershor.

"Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe përmbushim angazhimet tona”, deklaroi Ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Federale për të përditshmen gjermane, “Der Tagesspiegel”. Politikani i SPD-së risolli në vëmendje se një “afat i qartë ishte përcaktuar vitin e kaluar nga BE-ja”, duke theksuar se data më e përshtatshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vendet ballkanike duhet të jetë qershori i këtij viti.

Megjithatë, sipas CDU-së dhe CSU-së, Bundestagu duhet të vendosë për hapjen e negociatave të anëtarësimit vetëm pas pushimeve të verës në shtator.

Pjesëmarrja e Bungestagut është e detyrueshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me vende të reja anëtare. Sipas zëvendëspresidentit të Unionit CDU/CSU, Johann Wadephul shqyrtimi nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit nuk mund “të bëhet nxitimthi ".

"Në këtë kuptim, Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave deri në fund të shtatorit, siç është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar të SPD-së”.

Unioni: Nuk ka demokraci funkionale në Shqipëri

Ndër të tjera, Wadephul justifikohet se ai ende nuk e sheh mundësinë e një vendimi në Bundestag në qershor, pasi "nuk ekziston ende një sistem gjyqësor funksional në Shqipëri". "Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t'u përgatitur për negociatat e anëtarësimit", tha politikani i CDU-së. "Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator."

Megjithatë, Sekretari i Shtetit Roth ka një këndvështrim krejt tjetër. Duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qershori do të ishte "koha më e mirë për të vendosur mbi nisjen e negociatave të anëtarësimit,” tha ai. "Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion," shtoi ai.

Në Ballkanin Perëndimor, BE, Rusia, Kina dhe Turqia po luftojnë për ndikim. "BE-ja nuk ka për synim vetëm të garantojë interesat jetikë të sigurisë, por edhe besueshmërinë e saj", tha Roth.

Të mërkurën e shkuar, Komisioni Europian rekomandoi që krerët e BE-së të nisin negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Arsyetimi  i dhënë ishte se të dy vendet kishin zbatuar "reforma mbresëlënëse në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit." Presidenca e tanishme e BE-së të cilën e mban Rumania e ka përshirëë këtë çështje në axhendën e ministrave europianë më 18 qershor. Dy ditë më vonë, samiti i BE-së do të trajtojë vetëm çështjen nëse ka përparim të mjaftueshëm në takimin e ministrave evropianë.

 Shqetësime edhe nga Franca dhe Holanda

Në kuadër të proceseve të reja në Bundestag, tani ka pak mundësi që të arrihet një vendim i BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që në qershor. Për më tepër, jo vetëm gjermania është mes bllokuesve në rrethin e anëtarëve të BE-së. Franca dhe Holanda janë gjithashtu skeptike në lidhje një fillim të shpejtë të negociatave për aderim. Në nivel BE-ja, nevojitet një vendim unanim që të hapen negociatat me Tiranën dhe Shkupin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë