Politike

Negociatat me BE, Gjermania i kujton kushtet Shqipërisë

Gjermania duket se është akoma e pavendosur për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert thotë se stabiliteti dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi shumë të madhe për Gjermaninë.

Seibert, i pyetur në një konferencë për çeljen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë, tha se kjo është kompetencë e Bashkimit Evropian dhe se varet nga plotësimi i kushteve të paracaktuara.

Në rastin e Shqipërisë, ai tha për DW se këtu hyn "funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare”. Mes të tjerash, Seibert shtoi se vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progresraporti i Komisionit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë ftuar liderët e Ballkanit të marrin pjesë në Berlin në një konferencë.

Në takimin e datës 29 prill do të priten të vijnë përfaqësues të nivelit të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë, Sllovenisë dhe Komisionit të BE-së.

Duke shpjeguar arsyen e ftesës së kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Seibert tha se ata dëshirojnë të flasin me “bashkëbiseduesit e tyre për sfidat e veçanta në rajon dhe në radhë të parë për stadin e dialogut Serbi-Kosovë".

Seibert nuk pranoi të flasë për pritshmëritë ndaj kësaj konference. “Programi nuk është ende gati", tha ai duke shtuar se ky takim “është fryt i mëtejshëm i interesimit të thellë që kemi ne për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor".

Sipas tij, në takimin në fund të prillit në Berlin nuk do të ketë përfaqësues as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as nga Rusia.

"Parimisht, gjendja në Ballkanin Perëndimor është herë pas here temë në bisedat tona me qeverinë amerikane. Por ne e ndiejmë si një detyrë në radhë të parë evropiane që ta çojmë këtë pjesë të Evropës në një të ardhme të qëndrueshme, demorkatike dhe me perspektivë evropiane”, theksoi zëdhënësi i qeverisë gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë