Lajme

Negociatat, Leikert: Asnjë surprizë! Bundestagu do të votojë draftin e CDU/CSU

Bundestagu gjerman u mblodh këtë të enjte me kryetemë vendimmarrjen për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku nuk pritet asnjë surprizë dhe të zyrtarizohen qëndrimet e shprehura në rezolutën e CDU/CSU.

Nënkryetarja e këtij grupi parlamentar në Bundestag, Katja Leikert u shpreh e sigurtë për këtë.

“Bundestagu gjerman sot do të pajtohet të fillojë negociatat e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fraksionet e koalicionit të CDU / CSU dhe SPD janë pajtuar për këtë”, thotë ajo.

Deputetja gjermane foli për DË, ku tha se Gjermania po shpërblen përparimin e bërë deri më tani nga të dy vendet kandidate. “Ka ende një rrugë të gjatë, e cila kërkon durim dhe reforma të mëtejme. Prandaj ne kemi përcaktuar qartë hapat e domosdoshëm që duhen ndjekur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”, thotë Leikert.

Nënkryetarja e CDU/CSU kujtoi se reformat nuk bëhen për t’i bërë qejfin Gjermanisë dhe BE-së. Leikert ishte në Tiranë në fund të muajit gusht ku zhvilloi një sërë takimesh, në një vizitë që u interpretua mbledhëse informacioni mbi qëndrimin e palëve për krizën politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë