Lajme

Negociata, Rama: Shqipëria, dëm kolateral

Kryeministri Edi Rama doli nga fjalimi i përgatitur në fjalën e mirëseardhjes në Konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, që zhvillohet për herë të parë në Tiranë me përfaqësues nga më shumë se 100 vende.

Rama e cilësoi të mërzitshëm fjalën e përgatitur, siç tha, nga ekspertët e tij të mbrojtjes së të dhënave personale dhe pasi u uroi mirëseardhjen të ftuarve iu rikthye çështjes së negociatave. Kryeministri këmbëngul se Shqipëria ishte një “dëm anësor” në përplasjen mes vendeve të mëdha të Bashkimit Europian.

“Ju falenderoj që jeni këtu, edhe pse gjatë kohës që ishte planifikuar kjo konferencë ju nuk e dinit që në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, pasi e kishim parë veten që u bëmë dëm kolateral në kohën që miqtë tanë europianë po luftonin me njëri-tjetrin para disa ditësh”, deklaroi Rama.

Rama foli për mikpritjen si një nga vlerat më të mëdha të shqiptarëve dhe duke treguar historinë e një personi “VIP” që kishte kërkuar hyrjen në territorin shqiptar me rojet e veta të armatosura kërkoi që të godasë paragjykimet në vendet perëndimore për sigurinë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë