Biznes

Nedretja stoike, fermerët grupi tjetër i emigrantëve shqiptarë

Sabina Veizaj- Nedretja kur i telefonova ishte duke shpënë 30 gratë e firmës së saj në Karavasta për të festuar 8 Marsin.

Nedretja është njëkohësisht fermere dhe eksportuese. Më thotë që i do gratë shumë, i mbron dhe lufton për to e në emër të tyre.

Ajo është simbol i luftës së përditshme sepse tashmë është shumë e vështirë të jesh fermer në Shqipëri, e për më tepër fermer femër.

Me zë bas, të plotë e mirëseardhës më përgjigjet Nedretja në telefon.
Unë jam e interesuar të di këndvështrimin e saj për skemën e re të TVSH-së për produktet primare bujqësore.

Fermerja 58-vjeçare, shumë e gjallë dhe energjike, nuk e transmeton shqetësimin në zë, por më thotë se në 10 minuta kohë që ka në dispozicion tek udhëton drejt vendit ku do të shpenzojë me koleget e saj drekën e 8 Marsit, do të më shpjegojë se çfarë mendon.
“Unë qeverisë së Edi Ramës do t’i jepja një bravo për atë që bëri në 2014-ën, hoqi atë skemën e parë që ishte për bujqësinë 6% dhe i dha një prioritet bujqësisë shqiptare, ecëm shumë mirë. Me skemën e re ka shkuar mbrapa 8 vite dhe i vë një minus të madh sektorit të bujqësisë”, më tregon në telefon Nedretja.

Me skemën e re, ajo llogarit se xhiroja e saj vjetore do të përgjysmohet.
Në vitin 2018 Elian export, firma e saj ka bërë një xhiro prej 8 mln euro.
Sipas Nedretes me skemën e re të TVSH-së goditen si fermerët dhe eksportuesit, por më shumë fermerët.

Nedretja është 58 vjeç dhe ka nisur të kultivojë fruta-perime gati 20 vite më parë në tokën e saj në Zgjana të Lushnjës. Ajo kujton se prodhimet e para i shiste ndanë rrugës, mandej kishte një oreks të madh për të punuar dhe nisi të eksportonte. Nedretja thotë se është eksportuesja e parë në këtë fushë.

Nedretja nuk dorëzohet. Në asnjë moment të bisedës nuk më tha se do të ndalë punën, por veç më tregoi që do t’i përgjysmohet xhiroja. Ajo më rrëfen në atë bisedë të shkurtër telefonike se me këmbët e veta është rrëzuar dhe ngritur shumë herë gjatë jetës.
Përpos rrezeve të forta të diellit, që e përvëlonin për gjatë nën plastikën e serës, Nedretja në vitin 2010 luftoi me jetën, por me buzëqeshje dhe kishte nxitim për t’u rikthyer në punë. Kishte merak klientët e saj.

“Në 2010 kam kaluar një tumor, mendova se do të vdisja. Ishin 11 veta në dhomën e spitalit tek Onkologjiku në Tiranë dhe vetëm unë shpëtova. Unë nuk interesohesha për operacionin, por kur do të dilja nga spitali që të shkoja te puna. Pyesja mjeken çdo mëngjes, kur do ngrihem të shkoj te puna se kanë ngelur klientët pa punë. Klientët vinin më takonin në spital dhe interesoheshin për shëndetin tim”, më tregon Nedretja.

Ajo aktualisht eksporton në mbi 20 shtete; Ballkan dhe Europë; Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Slloveni, Kroaci, Suedi, Gjermani, Holandë, Itali, Ukrainë, Çeki. Rumani, Bullgari, etj.
Ajo ngarkon 1000 kamionë në vit x 22 ton secili me perime dhe fruta.

Pak vite më parë ajo ka çelur biznesin e saj. “Djalin e kam bërë drejtor, vetë jam administratore, vajza është ekonomiste. Motrën e kam marrë menaxhere. Stafin e kam kryesisht me gra dhe bëj të pamundurën për to”, më tregon Nedretja.

Tek Nedretja më flet në telefon unë e imagjinoj mbi kamionë, mes fermereve, mes arkave të perimeve që paketon përditë dhe i çon në të gjitha anët e botës.

Ajo më thotë se është shumë e shqetësuar si për veten, por mbi të gjitha për fermerët e vegjël që do të shkatërrojnë fermat e tyre dhe punën e shumë viteve.

Në fakt është e vërtetë. Gazeta Si ka kontaktuar me disa fermerë të zonave të ndryshme të vendit. Ata në mënyrë të mëvetësishme kanë thënë se “nëse pas datës 14, qeveria nuk reflekton dhe nuk merr një vendim pozitiv në interesin e punës tonë, ne do të derdhim qumështin në rrugë, do të prishim fermat dhe do të largohemi nga vendi.

Hasim Rizvani nga Komuna Qendër e Dërnënasit, ka një stallë lopësh me 40 krerë.
Ai prodhon 500 litra qumësht në ditë dhe furnizon kompaninë Lufra me 48 lekë/litri.
Hasimi thotë se është i regjistruar si fermer, me nipt dhe certifikatë dhe çdo transaksion e kryen me bankë.

Për Hasimin, nëse ulet çmimi i qumështit me të cilin e marrin kompanitë, fermerët falimentojnë.

“Pretendohet që të prishim fermën, ndërkohë që kemi punuar shumë për ta zgjeruar. Kemi mbajtur edhe fëmijët larg emigracionit vetëm me shpresën që do të zhvilloheshim. Në qoftë se qeveria nuk reagon, unë premtoj se qumështin do ta derdh të gjithë dhe do të prish fermën e do të iki së bashku me fëmijët jashtë”, thotë ai dhe tregon se ka këmbëngulur gjatë që fëmijët e tij të diplomuar njëri në farmaci dhe tjetri në Infermieri të mos largoheshin nga vendi, por të ndihmonin në punët e fermës.

“I kam mbajtur këtu vetëm për fermën, kur ata kanë dashur gjithnjë të ikin. Tani qeveria na prish gjithçka”, thotë shumë i shqetësuar Hasimi.

Edhe Altini nga Vajkani i Fierit është po aq i shqetësuar për skemën e re të pagimit të TVSH-së. “Ne jemi të vdekur nëse na ngarkojnë 14% e TVSH-së. Na bie të shkojë litri i qumështit 80 lekë. Po ra 80 lekë, ne tani e japim me 45 lekë, i bie të ulet çmimi 37 lekë”, më shpjegon.

Altini ka një fermë me 30 krerë lopë. Kostoja ditore për një lopë është 400 lekë.
Ai prodhon 350 litra qumësht në ditë dhe e shet te kompania Lufra.

Ferma e Altinit

“Do ta derdhim në rrugë qumështin. Ku do ta çoj 400 litra qumësht në ditë. Kemi menduar për protestë, por kemi frikën e policisë. Njerëzit e marrin me shumë sportivitet sikur na rëndon vetëm ne, por na rëndon të gjithëve. Ne nuk hedhim dot asnjë hap se varemi nga kompanitë. Ne e kemi menduar ta rrisim çmimin, pro është e pamundur se nuk na i merr fabrika”, tregon Altini. Në Vajkan thotë numërohen 25 fermerë.

Sali Azizi ka një fermë me 90 krerë lopë në Drenovicë të Beratit. Ai prodhon 400-500 litra qumësht në ditë. Saliu e shet qumështin me 50 lekë për litër tek Firma Erzeni nga 44 lekë që e shiste para vitit 2014-të.

“Ne ishim optimistë me ndryshimin e skemës së TVSH-së në 2014-ën. Nisëm të rrisnim fermën. Menduam ta shihnim me perspektivë dhe optimizëm të ardhmen e punës tonë. Kam disa vite që kam kthyer edhe djemtë nga emigracioni. Na ka demoralizuar skema e re e TVSH-së e nuk dimë se çfarë të bëjmë. Ne kërkojmë të balancohet TVSH në shitje dhe blerje”, thotë Saliu.
Ai do të punojë dhe të jetë konkurrues duke pasur një fermë me standarde europiane.
“Fabrikat e qumështit po kërkojnë standarde shumë të larta.. Firma Erzeni na ka ardhur në ndihmë duke na ofruar pajisje inoksi. Ne po luftojmë fort. Nëse ne arrijmë normat e BE-së dhe kompania eksporton, edhe për ne është shumë mirë”, shpreson Saliu.

Kurse Erion Koçi ka një fermë në Kolonjë të Lushnjës. Ai përherë ka dashur të zhvillohet dhe zgjerohet, por siç më tregon të jesh fermer në Shqipëri është tejet e vështirë, duke nisur që nga çmimi i naftës e deri tanimë skema e re e TVSH-së.
Ai ka 307 dynym tokë. Erioni kultivon bar luliumi në 8 hektar. Një pjesë tjetër të tokës e kultivon me jonxhë, grurë për blegtorinë dhe qarkullimin e tokës dhe pjesa që mbetet kultivon misër. Këto produkte i konsumon për përdorim të brendshëm në fermën e vet.
Barin e magazinon për ushqim për lopët. Ai ka 20 krerë lopë dhe prodhon nga 200-400 litra qumësht në ditë sipas gjendjes së lopës. Erioni e shet qumështin tek kompania Lufra me 50 lekë/ litrin.

“Aktualisht; 30-40% e kostos së tyre shkon për naftë. Një pjesë qiraja e tokave. 1 vit kalendarik nga korriku-në korrik (viti kalendarik për fermerët) 1500-4000 lekë të reja në vit për dynym. Ne e përdorim për 3-4 muaj, por pagesa bëhet për një vit. Çmimi i naftës i lartë -1830 lekë për litër është shumë i lartë për ne. Mbjellja e një sipërfaqeje 72 dynym jonxhë -7 ha që mbolla me mjetet e mia, me plehrat më shkoi 5 mln e 200 mijë lekë të vjetra. Ne s’kemi as ujë për ti vaditur se ka qenë problem me reshjet. Një vit i shkuar punë pa lekë”, më tregon Erioni.

Një lopë konsumon, më thotë ai, e ka koston ditore 5-6 mijë lekë të vjetra në ditë. Këtu llogaritet bari, soja, koncentratet, etj. Mesatarja e kësaj kafshe është 20 litra qumësht në ditë. “Nëse është me 50 lekë litri është ok. Se duhen marrë parasysh edhe pagesat e punëtorëve, amortizimi i mjeteve. Me skemën e re nuk më leverdis të punoj më”.
Ai më rrëfen se nuk ka dashur të largohet asnjëherë nga vendi me gjithë këmbënguljen e bashkëshortes së tij që është duke pritur fëmijën e tretë dhe është administratore e fermës.

Por me situatën aktuale është i pashpresë dhe nëse qeveria nuk ndryshon qëndrim, ai më thotë i bindur se do të largohet drejt Kanadasë, tek i vëllai që ka ikur prej vitesh.
Eksportuesit një ditë më parë morën një vendim se pas datës 14 mars 2019 nuk do të grumbullojnë më asnjë litër qumësht për të cilin sipas tyre, do të duhet që të paguajnë 14% tatim mbi vlerën e shtuar, e cila sipas ligjit bazë fiskal, atij të TVSH-së i takon prodhuesit të produktit.

Ky vendim vjen pas miratimit të ligjit për TVSH e produkteve bujqësore primare, më datën 3 dhjetor 2018, sipas të cilit, “Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor”, fjalët “20 për qind” zëvendësohen me fjalët “6 për qind”.

Pra, me skemën e re të TVSH-së, për të gjitha produktet bujqësorenë blerje do të njihet 6% e TVSH-së dhe në shitje 20%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë