Treg

Në vitin 2022 u zvogëlua tregu i fondeve të investimit në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’- Tregu i fondeve të investimit në Shqipëri, u përgjysmua në fund të vitit 2022, me rënie të vlerës rreth 45%.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vlera e aseteve ne Fonde arriti 45.06 miliardë lekë në fund të vitit të shkuar, 35.8 mln më pak se në 2021-shin.

Edhe numri i anëtarëve pësoi po ashtu rënie, me rreth 30%, duke shkuar në 28.953 të tillë, në fund të dhjetorit 2022, nga më shumë se 40.000 që ishin një vit më herët.

Gjatë vitit, tregu u dominua nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën, 67%, me rritje prej 2% krahasuar me 2021.

Pjesën më të madhe të tregut vazhdon ta drejtojë fondi i parë i hapur në Shqipëri, “Raiffeisen Invest” me më shumë se 85% të tregut sipas vlerës, ndjekur nga fondi i “Credins Premium” etj.

Fondet e Investimit janë një alternativë investimi ku asetet mund të grupohen dhe të krijohen portofole investimi, të cilat cilësohen si shumë të vështira për t’u krijuar nga një investitor individual në mënyrë të pavarur. Kthimi nga investimi në fond është në varësi të kushteve në treg, karakteristikave të fondit dhe strategjisë së investimeve që fondi vë në zbatim. Fondi i investimit nuk mund të garantojë një kthim të caktuar, si në rastin e depozitave. Ato kanë vetëm një tarifë administrimi, vjetore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë