Jete & Stil

Në vend të një dushi të ngrohtë ose të ftohtë, zgjidhni një dush me të dyja temperaturat

Ekspertët vlerësojnë se një person mund të ketë më shumë përfitime nga një dush ku herë përdoret uji i ngrohtë dhe herë uji i ftohtë.

Për shumë njerëz, dushi i përditshëm është një ritual i shenjtë, një kohë për t'u shkëputur dhe për t'u çlodhur. Dhe shumë mundohen të marrin më të mirën në ato minuta në ujë.

Dhe ekspertët thonë se më e mira është hidroterapia me ujë të ngrohtë dhe ujë të ftohtë përnjëherë.

Nina Vasan, psikiatre thotë se kalimi nga ujë i ngrohtë në të ftohtë për 15 minuta është një terapi më vete.

Personat mund të përdorin për 3 minuta ujë të ngrohtë dhe më pas për një minutë ujë të ftohtë. Ose mund ti alternoni për kohë më të shkurtër, për 15 sekonda.

Cilat janë përfitimet?

Kalimi nga uji i ngrohtë në të ftohtë për një kohë të shkurtër mund të shtojë energjinë.

"Trupi ynë priret të përshtatet me temperaturën e ujit për t'u bërë komod, kështu që një dush me kontrast "trondit" sistemin tonë duke ndërruar temperaturat në momentin që trupi ynë fillon të përshtatet me temperaturën e mëparshme", tha dermatologia Lauren Ploch.

Vasan tha se ekspozimi ndaj ujit të ftohtë, në përgjithësi, ka potencialin për të shtuar energjinë tonë duke rritur gjithashtu edhe nivelet e endorfinës.

“Njerëzit gjithashtu raportojnë se ndihen më të përqendruar pas një dushi të tillë”, shtoi ajo.

Ideja është që uji i nxehtë bën që enët e gjakut të zgjerohen dhe të rrisë rrjedhjen e gjakut në sipërfaqen e lëkurës, ndërsa uji i ftohtë ngushton enët e gjakut dhe e shtyn gjakun në organe.

Adam Friedman, profesor në Universitetin George Washington tha se gjithsesi njerëzit që përdorin një metodë të tillë duhet të kenë kujdes pasi rrezikojnë të digjen.

“Nuk e shoh si një problem të madh por gjithsesi duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi kur jeni duke përdorur ujë të ftohtë trupi mësohet me të dhe pasi të kaloni në ujë të ngrohtë, mund të digjeni sepse trupi nuk e kupton menjëherë sa i ngrohtë është uji”.

Si mund ta bëni pjesë  të rutinës tuaj një dush të tillë?

“Kjo metodë është mirë që të përdoret në mëngjes ose pas një stërvitje pasi uji i ftohtë ndihmon edhe në qetësimin e dhimbjeve të muskujve. Por kushdo mund ta përdorë kur të dojë pasi nuk ka një orar të caktuar.

"Unë besoj se kjo varet nga preferenca personale kur bëni dush", tha Vasan.

Disa njerëz mund ta përdorin në mëngjes për tu zgjuar ndërsa të tjerë mund ta përdorin në darkë për tu qetësuar pas një dite të lodhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë