Trend

Në TikTok të rinjtë shqiptarë po japin këshilla për përdorimin e antidepresantëve. Mjekët: E rrezikshme!

Nga Gazeta Si - Rrjetet sociale prej disa vitesh janë bërë streha e (pa)sigurtë e të rinjve në Shqipëri. Në TikTok çdokush tregon gjithçka dhe në këtë "gjithçka" përfshihet edhe eksperienca me antidepresantët.

Së fundmi, të rinjtë shqiptarë po bëjnë atë që në rrjetet sociale quhet “rate”, pra po bëjnë një klasifikim të antidepresantëve që kanë përdorur duke treguar se cili është efekti i tyre. Kjo mund të duket si një prej disa videove ‘alla TikTok’ por duke parë reagimin e të rinjve si në komente, si në pëlqime, ndarje dhe shikime, është një trend shqetësues.

Një nga videot të cilën Gazetasi.al ka arritur të shkarkojë ka më shumë se 50 mijë klikime dhe afërsisht 2 mijë pëlqime.

Në komentet që janë bërë, vihet re një interesim për këshilla nga ndjekësit e saj të cilët duket se kanë vendosur të vetëdiagnostikohen dhe të marrin një recetë nga një vajzë e cila duket në një moshë të re.

Në video të tjera që Gazetasi.al ka parë, një tjetër vajzë e re ka bërë të njëjtën gjë, duke treguar antidepresantët që ka përdorur, edhe duke rekomanduar se cilat mund të përdorin ndjekësit në varësi të eksperiencës së saj.

Mjeku psikiatër Neli Demi thotë për Gazetasi.al se një trend i tillë është problem i madh pasi përveç faktit nëse janë diagnostikuar apo jo, mjekimi ka specifikat e veta dhe sugjerohet të merret në bazë të këtyre specifikave sepse jo çdo gjendje depresive është e njëjtë.

“Ndryshojnë dozat, efektet anësore dhe çdo gjë tjetër është e rëndësishme që të bëhet nga profesionistë” dhe i tillë për rastet si këto nuk mund të quhet as një mjek i përgjithshëm edhe pse mund të jenë të trajnuar për të dhënë këshilla apo dhe për të përmendur dhe medikamente.

Neli Demi, mjek psikiatër. Gazeta "Si", 5 prill, 2022

Çfarë ndodh nëse medikamentet psikotrope përdoren në mënyrën e gabuar?

Demi shpjegon se problematika e përdorimit të gabuar pa recetë nga një profesionist të psikotropeve ka të bëjë me varësinë, efekte të ndryshme anësore, ka të bëjnë me mosefektin e mjekimit kur jepet mjekimi i gabuar dhe kjo zgjat sëmundjen ose humb besimin personi tek mjekimi etj.

A përfshihet edhe humbja e jetës?

“Po, teorikisht po”, thotë Demi duke shtuar se kjo mund të ndodhë nëse përdoren antidepresantët në mënyrën e gabuar apo nëse përdoret lloji i gabuar.

“Çdo rast ka nevojë për ndjekje, ka nevojë për analiza”, thotë Demi.

I pyetur nëse është njohur me raste të rinjsh që janë këshilluar nga mjekë të përgjithshëm apo neurologë, Demi tregon se “po, ka raste kur kanë ardhur të rinj të cilët janë këshilluar nga mjekë të përgjithshëm, neurologë që nuk janë psikiatër dhe kjo ndodh edhe sepse personat e kanë më të lehtë të shkojnë tek një nurolog. Sido të jetë, personi që lëshon një medikament të paktën duhet të jetë mjek”, shpjegon Demi.

Më të pakta por jo të përjashtuara janë rastet e të që kanë përdorur antidepresantë pa recetë por, sipas Demit, është një hap pozitiv fakti se nëpër farmaci kërkojnë recetë për antidepresantët.

Për medikamentet psikotrope që vajza ka përmendur në video, Demi tregon se janë antidepresantë, antipsikotikë, stabilizues humori dhe anksiolitike, të gjitha medikamente psikotrope që nuk duhet të merren pa recetë dhe rekomandimin e profesionistit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë