Nga Gazeta ‘Si’- Për shtatorin, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë u rrit me 70.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në publikimin e INSTAT për strukturat akomoduese, të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve rezident është rritur me 60.3% ndërsa ai i jo-rezidentëve është rritur me 76%.
Me prurjet e turistëve, janë rritur edhe netë qëndrimet. Krahasuar me shtatorin e vitit të shkuar, numri i tyre është rritur me 87.8 %, ku zgjerimin më të lartë e ka shënuar rritja nga jo-rezidentët, me 81.3%.

Veriu me netë qëndrimet më të larta
Ndonëse sipas rajoneve, jugu ka tërhequr më shumë vizitorë (+36.7%), numri më i lartë i netë qëndrimeve raportohet në veri.
INSTAT thekson se numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 3 herë.
U rrit ndjeshëm norma e shfrytëzimit të dhomave
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.
Gjatë shtatorit, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 32.4 %, kundrejt 23% që ishte shtatorin e vitit të shkuar.
Ndërsa norma e shfrytëzimit të shtretërve është 37 % kundrejt 22.9 % që ishte në të njëjtën periudhë të 2022-shit.
Shqipëria në shtator u vizitua nga 1.104.190 turistë të huaj, rritje me 45% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Hyrjet më të larta ishin kryesisht nga Europa Perëndimore dhe ajo Jugore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.