Para

Në Shqipëri hynë 1.5 mld euro dërgesa nga jashtë në 2021-in, 9.4% e PBB-së

Nga Gazeta 'SI' - Transfertat  e parave nga jashtë që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin sa 9.4% e PBB-së së vendit. Sipas Eurostat, Shqipëria ishte vendi i i katërt me vlerën më të madhe të parave të dërguara nga jashtë, mbi 1.45 mld euro, kurse 1 mld ishin nga vendet brenda BE-së dhe 454 mln jashtë saj.

Nga Shqipëria kanë dalë 119 mln euro për të njëjtin vit.

Vendi i parë i përket Kosovës, me transferta sa 18%  e PBB-së, Mali i Zi me 13.5% dhe Bosnjë Hercegovina me 10.5%. Rajoni i Ballkanit dhe i Europës Lindore përfshirë Rumaninë e Kroacinë, përshkruhen si vende të varura nga dërgesat e jashtme.

Për të gjitha vendet, shumica e transfertave nisen nga Zvicra, nga ku dolën rreth 30 mld euro, ndjekur nga Britania me 4.6 mld.

Eurostat nuk e përcakton, por nga raportet e mëhershme të Bankës Botërore, dërguesit më të mëdhenj të parave në Shqipëri janë Britania e Madhe dhe Italia.

Sipas shpjegimit që jep Eurostat, në këtë shifër janë transfertat personale që emigrantët nga jashtë i sjellin për familjet e tyre në Shqipëri, por me transferta bankare dhe jo në mënyra të tjera, si remitancat. Aty llogariten edhe pagesa e bonuse nga kompani të huaja që kanë punonjës këtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë