Para

Në prill u shtuan kreditë e këqija, niveli më i lartë për 2023-shin

Nga Gazeta ‘SI’ - Stoku i kredive të këqija u rrit lehtë edhe gjatë muajit prill në Shqipëri, duke shkuar në nivelin e 5.18%, ndaj kredive në total.

Në muajin mars, kjo normë ishte 5.15%. Ndonëse e ulët, ajo është më e larta për vitin 2023 deri më  tani. Gjithsesi në raport vjetor, kreditë me probleme janë dukshëm të reduktuara. Në prill 2022 ato qëndronin në nivelet e 5.42%.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tërësi cilësia e kredisë ka qëndruar e mirë edhe pse normat janë rritur disa herë, duke treguar për stabilitet të të ardhurave të familjeve shqiptare. Ndërkohë, norma bazë qëndron në nivelin e 3% dhe BSH nuk ka sinjalizuar endje në rritje tjetër.

Vetë Banka pati paralajmëruar më herët se rritja e normës bazë të interesit dhe inflacioni do të prekë familjet që kanë këste huash për të paguar dhe rrjedhimisht do të rritet stoku i kredive të këqija. BSH parashikonte që 70% e kredive do të preken nga rritja e normës, sepse ishin me normë të ndryshueshme.

Gjatë vitit 2022, ky tregues pati rënie, por bankat tregtare i paguan Bankës qendrore 4 mld lekë provigjione, detyrim që i krijohet atyre me rritjen e kredive problematike. Norma e rikuperimit të kredive me probleme nga ana e bankave ra në 12%, nga 15% një vit më parë. Kjo ecuri tregon një rritje të vështirësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë