Njerez

Në prill, pensionistët dhe ata me ndihmë ekonomike marrin falas shërbimet bankare

Nga Gazeta 'SI' - Nga fillimi i prillit, pensionistët, përfituesit e të gjitha kategorive të ndihmës ekonomike do të kenë akses falas në bankat tregtare në vend.

Sipas ligjit të miratuar në Kuvend, në fund të 2023-shit, “Për Llogarinë e Shërbimeve Bazike”, këto kategori do të marrin paratë nga shteti me anë të një llogarie bankare, e cila nuk do të ketë asnjë kosto për to dhe do të pajisen me një kartë debiti.

Pensionistët dhe personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, duhet të kryejnë aplikimin vetëm në rast se nuk kanë asnjë llogari tjetër bankare për shërbimet bazike dhe bankat kanë detyrimin t’i japin shërbimin falas.

Bankat nuk kanë të drejtë refuzimi, vetëm në rastin e lartëpërmendur dhe kur vërejnë aktivitet të dyshimtë.

Në rast të refuzimit të padrejtë, qytetarët mund të ankohen pranë Bankës së Shqipërisë, e cila mund të kërkojë nga bankat e nivelit të dytë, hapjen e kësaj llogarie brenda 15 ditëve pune (pa fundjavën).

Nëse banka nuk hap llogarinë, ligji parashikon gjoba nga 50-250 mijë lekë. Po ashtu bankat gjobiten edhe nëse kategorive të përfshira në skemën e tarifave zero për shërbimet bazike, i refuzohen transfertat apo i vendosen tarifa.

Qeveria miratoi ligjin si pjesë e nismës së përfshirjes financiare, ku asnjë kategori të mos mbetet pa akses në sistemin financiare, edhe nëse nuk janë në marrëdhënie pune. Ligji i shërben dhe qëllimit të uljes së përdorimit të parasë cash dhe rritjes së përdorimit të kartave.

Gjithësesi ligji regullon vetëm ndërlidhjen e bankave me qytetarët dhe ende nuk kanë dalë udhëzime të mëtejshme për afatet finale. Kryeministri Edi Rama, pati lajmëruar se qeveria synon që ky tranzicion të përfundojë brenda 2024-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë