Ka ndodhur

Në pranga tre persona, ishin shpallur në kërkim nga Italia për trafik droge

Tre persona, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafik narkotikësh, janë arrestuar nga Policia e Shtetit.

Sipas policisë, tre të ndaluarit të kapur në Tiranë, Vlorë dhe Elbasan, do të ekstradohen në Itali pas plotësimit të procedurave.

Policia thotë se ka arrestuar shtetasin Rr.M.,30 vjeç, banues në Tiranë. Këtij shtetasi, Gjykata e Torinos, Itali, në datën 11.02.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Ndërkohë në Vlorë, policia ka vënë në pranga shtetasin K. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Mifol, Vlorë.

Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 11.02.2020, i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizatë kriminale me drejtim trafikimin e narkotikëve”.

Ndërsa në Elbasan, policia ka arrestuar shtetasin B.D., 31 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, më datë 11.02.2020, i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

“Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë”, - thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë