Arsim

Në oborrin e “Petro Ninit”, ku presin studentët e Juridikut

Nga Anxhela Celanji-Në hyrjen e gjimnazit lexohet qartë “ shkollë miqësore për të gjithë” dhe mbase kjo shprehje mund ta ketë ngushëlluar pak konfuzionin e studentëve të juridikut. Fakulteti i tyre është bllokuar nga studentët protestues dhe ata janë zhvendosur për të rinisur sezonin tek godina e shkollës së mesme që ndodhet fare pranë.
Në oborrin e gjimnazit si fillim shihen grupe të vogla studentësh që presion të nis mësimi. Disa flasin për faktin se kanë ngelur shumë mbrapa, ndërsa disa të tjerë janë të shqetësuar për praninë e kamerave. Me libra në duar një grup studentësh jashtë derës së gjimnazi thonë se nuk e kuptojnë përse duhet të vazhdojë bojkoti, ndërkohë që pothuajse të gjitha pikat janë plotësuar “ ajo çka ishte kryesorja që tarifat të përgjysmoheshin u plotësua, kërkesat e tjera duan edhe pak kohë për t’u plotësuar”.

Ndërsa studente e vitit të dytë, e cila nuk preferon ta tregoj emrin i tha gazetës “Si” se ligji i arsimit të lartë nuk duhet anuluar por duhet rishikuar, sepse nuk ka ndonjë defekt të madh.
“Tani për tani më e mira për ne është të kthehemi në mësim,” shprehet ajo. Në përgjithësi shumica e studentëve në oborrin e gjimnazit “Petro Nini” i druhen faktit se mos humbasin sezonin pasi data e provimeve po afron.
Stelina një studente e vitit të dytë tha për Gazetën “Si” se pjesa më e madhe e studentëve u njoftua për mësimin në ditën e sotme nga pedagoget e seminareve dhe më pas u bë njoftimi publik në faqen e Faceebook-ut. Ajo shprehet se janë lajmëruar që do të vazhdojnë mësimin në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” deri në momentin që fakulteti do të jetë i lirë nga studentët protestues.
“Shpresoj të marrë një zgjidhje gjithçka pasi janë të akumuluar shumë mësime,” shprehet ajo.

Ndërkohë një studente në krah të saj  thotë se përgjithësisht studentët që janë brenda fakultetit janë të politizuar edhe pse gjatë gjithë kohës thuhet nga ata që,  studentët që kanë kërkuar mësim janë anëtarë të FRESH-it.

Stelina shprehet se e vërteta e hidhur është që atje brenda nuk janë studentët e juridikut.

“E shumta e studentëve tanë janë 15 veta dhe të tjerët janë nga shkencat sociale nga shkencat e natyrës nga të privateve, shumica e studentëve të fakultetit tonë janë shumë neutral dhe gjatë gjithë bojkotit, kanë qëndruar nëpër shtëpitë e tyre deri më sot. Protesta e dy javëve të dhjetorit  ishte diçka shumë e mirë, ato pika duhet të plotësoheshin dhe tarifat ishin shumë të larta sidomos për ne  të juridikut. 400 mijë lekë tarifa është relativisht shumë e lartë. Domethënë ishte mirë për këto gjëra, por deri në pikë që filloi bojkoti, me mbylljen e dyerve, prishja e bankave dhe materialeve, u bë një situatë që nuk është e pëlqyeshme për askënd. Unë kam që prej 7 janarit, që në fillimin e këtij viti akademik që vij çdo ditë nga Elbasani për të bërë mësim dhe iki, duke pasur shumë shpenzime që tek e fundit nuk i paguan asnjë, veç prindërve të mi. Shpresoj që deri në fillimin e javës tjetër të kthehemi në fakultet,” shprehet Stelina.

Studentët nuk ishin shumë të qartë nëse do të bënin mësim apo thjesht do të paraqiteshin, deri në momentin që në oborrin e shkollës doli dekani Artan Hoxha i cili, gjatë gjithë kohës kërkonte që studentët të përpiqeshin të rregulloheshin nëpër klasa.

Në një deklaratë për Gazetën “Si” ai shprehet se nisja e mësimit do të jetë një faktor tepër i rëndësishëm si për vazhdimësinë e vitit akademik, gjithashtu edhe për të qetësuar studentët të cilët vazhdojnë bojkotin.
“Siç e shihni studentët që janë të interesuar për mësim, gjenden këtu. Është një numri i madh të cilët duan vetëm të hapin librat dhe të ecin përpara. Ne jemi më shumë se ata, kështu që duhet të vazhdojmë mësimin, diçka thelbësorë për të gjithë,” thotë Hoxha.
Për sa i përket kapacitetit të klasave, Hoxha kujton se edhe më përpara studentët e juridikut kanë bërë mësim në këtë gjimnaz pasi godina e fakultetit janë restauruar, ndërsa orët mësimore do të zëvendësohen të gjitha gjatë pasditeve dhe fundjavave.
Gjatë kohës që dekani po jepte një deklaratë për mediet, disa studentë protestues arritën në ambientet e gjimnazit duke mbyllur dyert me zinxhirë dhe duke bërtitur me të madhe “boll i hëngrët pallavrat e qeverisë dhe të komunistëve, turp të keni”.
Përpos kësaj situate shqetësuese, një pjesë e studentëve që ndodheshin në oborr arritën të futeshin brenda gjimnazit duke pyetur se si do të ndahen nëpër klasa, ndërkohë që jashtë portës së mbyllur kishte studentë që donin të bënin mësim, por nuk mundeshin të futeshin brenda.
Eldi një student i vitit të parë, shumë i tensionuar është shprehur se kjo ishte vërtet një situate e pakëndshme.
“ Shumica e studentëve të juridikut janë për mësim, që do të thotë se në jemi mazhorancë. Shumë shokë të mi që janë jashtë portës, duan të futën brenda të bëjnë mësim dhe mbyllja e derës është e padrejtë. Duke parë numrin e madh, erdhën dhe vunë drynin në mënyrë që të mos hynin student. Ata duan të bllokojnë të dyja shkollat. Unë kam qenë një nga student protestues deri në momentin që ka pasur diçka për të protestuar, por protesta tashmë duket që është e politizuar dhe gjithçka që bëhet atje është çështje politike. Fakultetet e tjera kanë nxjerrë datat e sezonin dhe janë kthyer të gjithë në mësim, kështu që nuk duhet që ne të penalizohemi,” thotë ai.

Disa kohë më parë  qeveria prezantoi “Paktin për Universitetin”, një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet, bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e studentëve dhe pedagogëve, por kjo nuk do të thotë asgjë për një pjesë të studentëve të cilët kanë bllokuar fakultetin e juridikut dhe kërkojnë rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë.

Ndërsa pjesa më e madhe e studentëve të cilët duan mësim, gjenden në hollin e gjimnazit duke marrë orarin që u afishua nga pjesëtarë të administratës së fakultetit, ndërkohë që dera u hap nga roja. Pas marrjes së orarit disa i shohim nëpër klasa duke pritur zhvillimin e mësimit, ndërsa disa të tjerë janë në oborr duke pritur orarin e tyre.

Jashtë rrethimit të gjimnazit ishte dhe policia  e cila ndodhje aty për tu siguruar  që studentët të  mos kishin përplasje me njëri-tjetrin.

Shihet qartë që studentët janë të hutuar, duke u përpjekur të gjejnë klasat ku do të fillojë mësimi. Gjimnazi Petro Nin Luarasi, duket sikur ka hapur dyert për një vit të ri shkollor, ndërsa fytyrat e studentëve janë ende të shqetësuara.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë