Ngjarje

Mes bojkotit të çorganizuar, frikës dhe qëndresës

Tashmë protesta studentore ka marrë një rrjedhë tjetër. Gjatë ditëve të fundit një formë e re protestimi është shfaqur në universitete. Studentët nuk i gjejmë më as përpara Kryeministrisë, as Ministrisë së Arsimit apo institucioneve të tjera ashtu si kishin paralajmëruar, por në vendin ku nisi e gjithë furia e kauzës së tyre, në bankat e universiteteve. Në të gjitha fakultetet janë mbledhur grupe studentësh për të bojkotuar mësimin. Studentët e Fakultetit Ekonomik, të cilët kanë qenë ndër të parët që kanë nxitur protestat gjenden në oborrin e universitetit. Disa përpiqen të flasin me efektivët e policisë, mbas sherrit të madh që u krijua, disa të tjerë flasin nëpër telefona me prindërit duke i qetesuar dhe u shpjeguar se çfarë ka ndodhur. Ata gjatë gjithë kohës u kërkojnë efektivëve të policisë të largohen nga ambientet e fakultetit dhe të gjithë njëzëri thërrasin “studentët e bashkuar, kanë për të fituar”.

Ndërsa në hollin e fakultetit janë studentë të tjerë, të cilët kanë formuar grupe të vogla ku diskutojnë për dhunën që ka ushtruar policia, ndërsa në një monitor të madh shihet njoftimi se nxënësit ekselentë përfitojnë reduktimin e pagesës së shkollimit. Në dysheme shihen batanije të cilat kanë shërbyer për të mbuluar studentë gjatë natës. Ata diskutojnë me njëri-tjetrin dhe disa thonë që tashmë e kanë humbur besimin te drejtësia, ndërsa disa të tjerë shprehen se do të vazhdojnë me bojkotin e mësimit dhe nuk do të dorëzohen.
Një grup studentësh thanë për Gaztën “Si” se nuk janë dhunuar vetëm katër djem, ashtu si është përhapur lajmi nga media të ndryshme, por të gjithë, pasi efektivet i kanë shtyrë gjatë gjithë kohës. Ata kanë qëndruar 48 orë të ngujuar, duke kërkuar plotësimin e kërkesave që kanë, deri në momentin që ka ardhur policia dhe ka tentuar të futet me forcë në universitet. Studentët thërrasin gjatë gjithë kohës njëzëri dhe kërkojnë të dinë se kush u ka dhënë urdhër efektivëve të policisë për të ardhur në universitet, sepse do t’i denoncojnë. Një pjesë e tyre thotë se janë të vetëorganizuar dhe protestën e kanë përçarë studentët e rretheve, pasi një pjesë nuk kanë ardhur. Ndërkohë gjashtë studentë të cilët janë nga rrethet shprehen se kanë ardhur prej ditësh për të protestuar.

https://youtu.be/Dh-1ydbJTdQ

Duket qartë se nuk janë të organizuar. Njëri prej tyre, Luka, shprehet se disa kërkojnë të bojkotojnë mësimin, ndërsa disa të tjerë duan të futen në mësim, pasi janë të frikësuar se do t'u digjet viti shkollor.
“Mua më shumë se të gjithë më intereson të mbyllet kjo çështje sepse dua të mbaroj provimet në maj dhe të shkoj pranë familjes time, por vazhdoj të protestoj për të ardhmen. Do qëndroj këtu deri në dhjetorin e vitit tjetër nëse duhet, sepse shoh që studentët po ndërgjegjësohen. E drejta nuk falet asnjëherë, por kërkohet dhe fitohet,” shton ai.
Gjatë mbrëmjes, gjithashtu ka pasur një përplasje mes rojeve të policisë private dhe studentëve të Ekonomikut, por gjatë mëngjesit kjo përplasje u bë edhe më e madhe.
Studentja Rezarta Demiri thotë që në mëngjes është krijuar një kordon prej njëzet vetash nga studentët në mënyrë që administrata të mos hynte brenda. Sipas saj, është e çuditshme që kanë parë aq shumë roje private, sepse herë të tjera nuk ka pasur më shumë se një roje në ambientet e fakultetit.
“Rojet private që kanë filluar të shfaqen dy ditët e fundit sëbashku me policinë, na penguan të futeshim në universitet, filluan të shtyjnë dhe kërcënojnë studentët. Ndërkohë dy efektivë që ishin në moshë të re u futën në ambientet e brendshme të fakultetit dhe filluan të përplasnin studentët, njërin prej tyre e kapën prej fyti. Të gjitha këto i them se isha prezent dhe u mundova të shtyja efektivin për të tërhequr shokun tim, por një efektiv tjetër më largoi. Ne ishim në kaos dhe nuk i dhamë rëndësi, se ku ishim lënduar vetëm donim të futeshim në fakultet. Isha aty kur u dhunuan tre nga shokët e mi të quajtur Erni, Klevisi dhe Anxhelo. Njërin e përplasën te porta e fakultetit, ndërsa tjetri ka një plagë në gisht. Studentët thjesht bënë rezistencë, efektivët ndoshta nuk e duruan këtë fakt dhe filluan të shfaqnin dhunë, e cila ishte direkt dhe jo e nxitur nga ne,” thotë ajo.

https://youtu.be/JwnSpVbc9-w

Studentët shprehen se nuk kanë lidhje me asnjë parti politike. Gjatë ditës së djeshme situata është tensionuar ndjeshëm ku në Fakultetin Ekonomik mbërriti deputeti demokrat Luciano Boci. Ai u shpreh se kishte ardhur për të larguar policinë nga ambientet e fakultetit, por studentët nuk pranuan dhe e larguan. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme u vendosën kudo në muret e fakultetit fletë-thirrje për të nxitur studentë të tjerë që nuk janë pjesë e bojkotit, që të mos mashtrohen nga asnjë parti politike, por të fitojnë të drejtat e tyre.
Një grup studentësh duke biseduar me një ndër pedagoget, kërkojnë të dinë se çfarë do të bëhet me kauzën e tyre, nëse do të ketë ndonjë mbledhje për të zgjidhur këtë çështje, por pedagogia shprehet se ende nuk ka diçka konkrete për t’u thënë. Ndërsa ajo ikën, ata me ironi bërtasin të gjithë një zëri duke i thënë, “bëju të fala atyre lart”.
Në moment që studentët qëndrojnë brenda hollit të universitetit, në ambientet e jashtme të fakultetit nuk shihet më asnjë efektivë policie. Studentët vazhdojnë ecejaket e tyre dhe diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë do të ndodhë me tej. Ata nuk e dinë se ç'do të ndodhë me plotësimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që nuk marrin përgjigje as nga dekani i fakultetit. Në biseda më gazetarë të ndryshëm ata kërkojnë edhe mbështetjen e tyre duke thënë, “mos ejani të raportoni se çfarë mendojmë ne, se është e dukshme, por merrni kolegët tuaj dhe na mbështesni,”.

Studentët shprehen se do të vazhdojnë të bojkotojnë mësimin, ndërkohë kryeministri ka deklaruar se pikat e kërkuara nga studentët janë të plotësuar, por ende nuk është parë një vendim konkret nga qeveria.
Një tjetër studente e cila është shumë e revoltuar thotë se nuk është e nevojshme të zgjatet më shumë kjo gjë. Sipas saj, kryeministri duhet të veprojë, duke firmosur një projekt ligj për të vënë në jetë tetë kërkesat e tyre dhe jo të bëjë deklarata.
“Nuk ka buxhet qeveria sa për të na pajisur auditorët me kondicionerë, apo për të vendosur xhamat e dritareve? Nëse nuk gjenden, le të marrë xhamat e kësaj administratës së famshme që kemi këtu dhe të vijë t’i vendosë,” përfundon tepër e tensionuar studentja.
Pas ngjarjeve të shumta si protesta, bojkoti, konfrontimit të studentëve me policinë, Rektorati i Tiranës u bëri sot thirrje studentëve të rikthehen në procesin mësimor, ndërkohë që ka marrë masa për të shtyrë afatin e pagesës së tarifës, duke ngritur një grup pune me përfaqësues, edhe nga studentët për përgatitjen dhe realizimin e një plan-veprimi në shërbim të fakulteteve dhe studentëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë