Lajme

Në kërkim për tentativë vrasje, kapet në Durrës vlonjati i rrezikshëm

Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës ka arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.
Policia bën me dije se pas një ndjekjeje disaditore nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Tiranë, e Durrës u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes dhe kapja e Eduart Xhezos.
I cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë, Xhezo po qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli. Por pasi policia i është vënë pas, duke bllokuar edhe rrugën në Shkozet, u bë e mundur kapja e tij.
Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis dhe dy karta identiteti me iniciale A. S., dhe S. J.. Pas verifikimit të bërë karta e identitetit me emër A. S. rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia në kartë i përkiste shtetasit në kërkim Eduart Xhezo, 34 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Shkallës Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”, pasi më 8 gusht të këtij viti rreth orës 19.30, në lagjen “1 Maj”, Vlorë janë goditur me armë shtetasit A. B., E. B. dhe N. H. dhe ky shtetas dyshohet si një nga autorët e kësaj ngjarjeje.
Shtetasi Eduart Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë