Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje është arrestuar në shtëpinë e tij në Tiranë, së bashku me një polic.
Policia thotë se është arrestuar në rrugën “Ndre Mjeda” 32-vjeçari Arbër Balliu, i shpallur në kërkim në vitin 2019, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Balliu më 14 mars të vitit 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë në afërsi të “Komunës së Parisit” në Tiranë Enea Keqajn.
32-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në atë kohë, Keqaj ka marrë plagë në këmbë, por ka shpëtuar.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni është vënë në pranga një oficer policie që u kap në banesë me personin në kërkim. Bëhet fjalë për policin Demiraldo Heta 30 vjeç.
Pas informacionit se 32-vjeçari që ishte në kërkim Arbër Balliu posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë.
Në shtëpinë tjetër, gjatë kontrollit është gjetur duke paketuar lëndë narkotike Igli Pojana 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.