Lajme

Në kërkim për pastrim parash, arrestohet indiani në Shqipëri

Një indian i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, me qëllim ekstradimin drejt vendit të tij është vënë në prangat e policisë shqiptare.
Bëhet fjalë për shtetasin indian H. P., 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri.
Ky shtetas është kapur në aeroportin e Rinasit në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi/Indi.
Gjykata Patiala House/New Delhi ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhërarresti për veprën penale “Pastrimi i parave”, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave”.
Indiani i arrestuar është kunati i dy vëllezërve Sandesara, të cilët akuzohen për një skemë pastrimi parash prej 725 milionë dollarësh amerikanë.
Dy vëllezërit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e Sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.

Vëllezërit Sandesara

Skandali shpërtheu në janar të vitit të kaluar kur agjencia e krimit ekonomik në Indi arrestoi drejtorin e ‘Andra bank’, bankës më të madhe e cila kishte lëvruar kreditë për vëllezërit Sandesara. Në po të njëjtën kohë autoritetet indiane bllokuan pronat e kompanisë Sterling Biotech, e cila u fut në proces falimentimi. Por, dy vëllezërit Sandesara u arratisën nga India.
Deri vonë autoritetet indiane besonin se Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ishin arratisur në Nigeri. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.
Gjatë kohës që ishin në kërkim nga autoritetet indiane dhe skandali ishte bërë publik edhe në mediat ndërkombëtare, dy vëllezërit Sandesara kanë mbërritur në Shqipëri. Ata po ndërtojnë pallate te zona e Liqenit të thatë në Tiranë si edhe janë pjesë e një ndërtimi ne bregdet në zonën e Dhërmiut. Ata kanë ngritur dy kompani në sektorin e ndërtimit, Tulja Real Estate dhe Laxmi Real Estate siç tregojnë dokumentet e regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit.
Në 6 shkurt të vitit të kaluar, kur kërkoheshin në të gjithë planetin, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare, një proces gjatë së cilit çdo individ I huaj kalohet në sitë nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe autoritetet e tjera të rendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë