Treg

Në katër muajt e parë të vitit erdhën 1.7 milionë të huaj. Europa me prurjet më të mëdha

Nga Gazeta 'Si'-Shqipëria pati rreth 1.7 milionë hyrje në katër muajt e parë të këtij viti, me një rritje prej 57% në raport vjetor.

Në prill numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gati është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, hyrjet në total të shtetasve shqiptarë dhe të huaj muajin e kaluar ishin 1.161.729 me një rritje prej 39.5% krahasuar me prillin e vitit 2022.

Ndërsa vetëm numri i shqiptarëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë prillit është rreth 555 mijë, duke njohur një rritje me 27.1% në bazë vjetore.

Për të njëjtin muaj, daljet e shtetasve shqiptarë janë 563 mijë ndërsa daljet e të huajve janë 583 mijë, duke u rritur përkatësisht me 25.4% dhe 51.5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të shkuar.

INSTAT raporton se gjatë prillit rajoni me prurjet më të mëdha turistike është Europa me 590.603 shtetas, e ndjekur nga Amerika dhe Azia Lindore / Paqësori, përkatësisht me 14.012 dhe 4.913 shtetas.

Muajt e fundit është vënë re kryesisht një tendencë e  turistëve latinë për të ardhur në Shqipëri.

Përpara disa ditësh Gazetasi.al shkroi se janë kompanitë spanjolle dhe portugeze të cilat meqë këto dy vitet e fundit filluan turizmin me Shqipërinë, me numra të lartë pushuesish që zgjodhën vendin tonë, janë edhe organizatorë të grupeve të Amerikës Latine.

Ndryshe nga tregu rus apo ukrainas që duan turizmin blu, grupi i turistëve nga Amerika Latine parapëlqejnë më shumë turizmin e aventurës dhe atë historik-kulturor.

Tur-operatorët thonë se është klima e ngrohtë faktori kryesor që do të favorizojë Shqipërinë.

Sipas arsyeve të vizitës në prill pushimet dhe qëllimi personal janë më të shpeshtat, duke u rritur respektivisht me 54.5% dhe 53.7%.

Por me rritje të ndjeshme ka qenë edhe kategoria tranzit me një rritje prej rreth 66% në raport vjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë