Para

Në gjysmën e parë të vitit kredia për biznesin shënoi rënie, përjashtim bën ndërtimi

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti biznesi ka marrë më pak kredi e cila kishte vlerën e 68.5 miliardë lekëve, duke rënë me afërsisht 9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Ndër sektorët e tjerë, përjashtim po bën sektori i ndërtimit.

Statistikat tregojnë se kredia e re për sektorin e ndërtimit është rritur me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për 6-mujorin e vitit të shkuar, kredia e re për ndërtimin përbënte 20.3% të kredisë së re të dhënë për kompanitë private, duke arritur peshën më të lartë në të paktën pesë vitet e fundit.

Sipas BSH-së rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3%. Kërkesa në tregun e pronave po mbështetet shumë edhe nga kredia bankare, që këtë vit ka arritur nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë.

Në fund të pesëmujorit 2021, kredia e re për blerjen e pronave nga individët arriti në 14.3 miliardë lekë, 76% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një tjetër sektor që ka shënuar rritje të ndjeshme të kreditimit këtë vit është "Informacioni dhe Komunikimi" ku kredia e re për këtë sektor arriti në 2.2 miliardë lekë, tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredidhënia për shumicën e sektorëve të tjerë të ekonomisë paraqitet në rënie.Sektori me peshën më të madhe në kreditim, tregtia, për 6-mujorin 2021 ka pësuar një rënie të kredisë së re me 14.4% krahasuar me një vit më parë, me një vlerë totale huaje prej 23.6 miliardë lekësh.

Kredia e re paraqitet në rënie edhe për industrinë, si në degën përpunuese, ashtu edhe në atë nxjerrëse. Kredia e re për industrinë përpunuese gjatë 6-mujorit 2021 kishte vlerën e 8.6 miliardë lekëve, 2.6% më pak krahasuar me një vit më parë. Për industrinë nxjerrëse rënia ishte më e ndjeshme, me 24% më pak.

Një sektor që në deri vitin e kaluar kishte shfaqur rritje me ritme të shpejta ishte energjetika, kryesisht në degën e investimeve private dhe koncesionare në hidroenergji. Por, këtë vit, kreditimi i këtij sektori ka pësuar një rënie të fortë, me 72% më pak krahasuar me 6-mujorin 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë