Sport

Në gjurmët e babait, Maik Shumaker fiton në Formula 3

Nuk thonë kot, “Bëmë baba të të ngjaj” dhe nëse ka një rast kur kjo shprehje ngjit më së miri, është ai Majkëll Shumaker me të birin e tij 19-vjeçar, Maik Shumaker.

I riu është duke ecur në gjurmët e të atit duke korrur sukseset e para në botën e makinave të shpejta. Ashtu si Majkëll debutone në vitin 1991 në “Spa-Francorchamps”, i biri i tij, pas plot 27 viteve ka marrë fitoren e parë pas 45 garave të zhvilluara në Formula 3.

Majkëll Shumaker kur festonte fitoren e parë ne pistën e “Spa-Francorchamps”

Majkëll Shumaker në atë kohë drejtonte një makinë, Jordan, ndërsa Maik fitoi në “Spa” me një makinë “Prema Powerteam Dallara-Mercedes”. Nuk ishte një gjë e lehtë në fakt për pinjollin e familjes Shumaker ta fitonte këtë garë, por në fund për mediet ai do të shprehej, “Duket se SPA është një vend i mirë për familjen Shumaker”.

Majk Shumaker duke festuar fitoren e parë në Formula 3

“Jam shumë i lumtur për këtë fitore e cila merr një tjetër vlerë, kur mendoj se këtu ka pilotuar babai im për herë të parë dhe ka marrë fitoren e tij të parë”, tha 19-vjeçari, “Pa dyshim që geni ka të bëjë në rezultatet e mia”, është shprehur i emocionuar para medieve djali i Majkëll Shumaker.

Majk Shumaker nga shumë specialist të garave me makina cilësohet si një talent dhe shumë shpejt mund ta shikojmë të garojë në elitën e këtij sporti, Formula 1.

Majk Shumaker në garën e fundit në SPA ku zuri vendin e parë

Majkëll Shumaker gati 5 vite në koma

Do të ishte 29 dhjetori i vitit 2013, kur rekordmeni i garave të Formula 1, Majkëll Shumaker pësoi një aksident të tmerrshëm, i cili që prej asaj kohe e mban ende në koma. Shumaker ishte duke skijuar në Alpet mes Zvicrës dhe Francës me djalin e tij, por në një aksident mori goditje shumë të forta në kokë, duke e lënë në atë gjendje kome dhe pa shumë shpresë për të ardhmen. Prej më shumë se një vit ai u mbajt në spitalin “Grenoble” një nga më mirët në botë, më pas u transferua në Lozanë ku vijoi të ishte në gjendje kome dhe tashmë mbahet nën trajtim të vazhdueshëm në një vilë në Lozanë të Zvicrës.

Majkëll Shumaker ditën kur pësoi aksidentin

Në këto vite kanë qarkulluar shumë lajme kontradiktore për përmirësimin e gjendjes së tij, por edhe për vdekjen e ish-kampionit të Formula 1. Vetë familjarët kanë mohuar çdo gjë duke thënë se kanë vendosur ta mbajnë private gjendjen e Shumaker duke respektuar kështu intimitetin e tij. Nuk ka asnjë të dhënë të besueshme që mund të tregojë nëse Shumaker do të dalë nga gjendja e komës ndonjë ditë. Ai për momentin po mbahet në jetë nga aparaturat mjekësore që janë instaluar në shtëpinë që familja ka blerë në Lozanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë