Para

Në fund të majit totali i depozitave të biznesit u rrit me rreth 6 mld lekë

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i depozitave të biznesit është rritur me rreth 6 miliardë lekë në fund të majit që nga fillimi i vitit, duke arritur në 231.5 miliardë lekë.

Në janar dhe në shkurt depozitat e biznesit pësuan rënie ndërsa pas muajit mars ata i janë rikthyer gradualisht rritjes.

Në krahasim me vitin e kaluar, kjo rritje është më e ngadaltë ku nga marsi i vitit 2020 deri në fund të vitit të kaluar, depozitat e biznesit u rritën me rreth 27 miliardë lekë.

Tendenca e përgjithshme për të kursyer pas krizës, veç konsumatorëve preku edhe bizneset.

Përkohësisht, ruajtja e likuiditetit të biznesit u ndihmua nga shtyrja e kredive për pothuajse gjashtë muaj. BSH vlerëson se ndikimi financiar i shtyrjes së kredive, vetëm në segmentin e sipërmarrjes, arriti në 23.3 miliardë lekë.

Gjithashtu, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik e uli volumin e punës së biznesit, duke bërë që kompanitë të vendosnin në punë më pak para, gjë që ka bërë që më shumë fonde të ngelen të disponueshme në llogaritë bankare.

Sidoqoftë, ritmet e rritjes vjetore të depozitave së bizneseve ngelen ende mjaft të larta, me 18.5%. Kjo normë rritjeje është më shumë se dy herë më e lartë se rritja mesatare e totalit të depozitave në sektorin bankar, megjithëse në vlerë absolute kontributin kryesor në rritjen e depozitave bankare vazhdon ta japë segmenti i individëve (me një shtesë prej rreth 60 mld lekë në vit), që ka një peshë specifike më të lartë.

Depozitat e biznesit përbëjnë rreth 17.5% të totalit të depozitave bankare në Shqipëri. Edhe pesha e tyre specifike është rritur krahasuar me një vit më parë, kur ato përbënin rreth 15.9% të totalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë