Njerez

Në fshat, atje ku nuk ka izolim. Kush do të ma çojë lopën në kullotë?

Zenel Balla është 65 vjeç. Jeton në Farkë. "Qëndro në shtëpi", për të dhe shumë të moshuar është një fjali qyteti. “E di që rrezikoj të infektohem, shoh televizor e shoh çpo bëhet. Por punët e fshatit s’më lënë. Kush do ta çojë lopën në kullotë?”, pyet Zeneli. Megjithatë, si shumë fermerë të tjerë edhe 65 vjeçari përpiqet të bëjë kujdes.

Po si ka ndryshuar jeta e tij? Zeneli tregon për Gazetën “Si” se në mëngjes zgjohet herët, mjelë lopën dhe niset për në Tiranë. “Kam klientë fiks prej vitesh, ua lë te dera, nuk i takoj se kam frikë dhe pastaj kthehem në shtëpi me vrap se mos më kap ora 1 e drekës. Mbyllem në shtëpi ose bëj ndonjë rregullim bahçeje”.

Më pas, i moshuari del sërish për të marrë lopën e tij dhe të vëllait nga kullota. “Ndonjëherë dal nga shtëpia e shkoj te tokat ose qëndroj pas lopës, çfarë të bëj me këtë ushqehem, nuk kam asnjë të ardhur tjetër”, shprehet 65-vjecari.

Si Zeneli veprojnë shumë të moshuar të tjerë. Punët e fshatit janë vetizolimi i tyre. Por Burbuqja, e cila ruan lopën në tokat afër Saukut tregon buzë mbrëmjes se e ka hequr zakonin e kafesë me fqinjen. “Përshëndetemi nga ballkoni, po shyqyr kemi shtëpi private dhe heqim ditën se brenda nuk rrihet” thote ajo.

A ka frikë Burbuqja kur nxjerr lopën pranë tokave? “Po ata thonë që për hall duhet të dalësh, ky është hall, është punë për mua. Vetëm lopës i afrohem”, shton e moshuara, e cila nuk pranon të fotografohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë