Rend dhe Ligj

Në fillim të vitit, Shqipëria me strukturë të posaçme kundër sulmeve kibernetike

Gazeta Si - Për të luftuar dhe zmbrapsur sulmet kibernetike dhe krimin kompjuterik, Shqipëria shumë shpejt do të ketë gati një strukturë të posaçme në Policinë e Shtetit.

Ajo do të jetë e ndërtuar mbi baza inteligjente dhe do të jetë pjesë e strukturave vendore të policisë në të gjitha qarqet.

Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka deklaruar se sulmi kibernetik nga Irani ndaj vendit tonë, ka bërë që krimi kompjutetik të jetë një prioritet.

“Situata që kemi kaluar së fundmi me situatën kibernetike, na kanë imponuar që krimin kompjuterik ta trajtojmë si prioritet dhe në këtë filozofi do të krijojmë strukturën e posaçme brenda departamentit të Policisë Kriminale”. Rrumbullaku zbuloi se gjithçka pritet të jetë gati në fillim të vitit që vjen me një strukturëtë dedikuar.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku

“Jemi duke punuar për të rialokuar burimet tona njerëzore, por edhe teknike e logjistike si dhe të përshtatim strukturat. I kemi vënë vetes objektiv që maksimalisht, fillimi i vitit që vjen të na gjejë me një strukturë të dedikuar qendrore për mbështetjen e veprimeve hetimore që kërkohen nga agjencitë partnere apo gjyqësore në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë”.

Ai shtoi se është filluar një proces përzgjedhje i punonjësve të trajnuar posaçërisht, si dhe aplikimi i rekrutimit të punonjësve të rinj me njohuri të posaçme në fushën e teknologjisë së informacionit dhe krimit.

Kryepolici i vendit është shprehur se me këtë riorganizim, do të shumëfishohen kapacitetet njerëzore nga ana sasiore.

Në fillim të shtatorit, Shqipëria pezulloi marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke përzënë nga Tirana të gjithë stafin diplomatik të ambasadës së Iranit në vendin tonë.

Shkak u bë sulmi kibernetik në 15 korrik ndaj faqes e-Albania të shërbimeve qeveritare dhe në 9 shtator ndaj sistemit TIMS të policisë.

Kryeministri Edi Rama tha se nga hetimet së bashku me agjencitë partnere, por edhe me kompaninë Microsoft, u zbulua se sulmi kibernetik ndaj vendit tonë ishte bërë nga Irani.

Pas këtyre sulmeve, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka sanksionuar Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe Ministrin për Aktivitetet Kibernetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë