Politike

Sulmi kibernetik nga Irani, NATO: Mbështesim Shqipërinë, akt keqdashës. Do të shtojmë mbrojtjen

Gazeta Si - Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, i ka dalë në mbrojtje Shqipërisë pas sulmit kibernetik të shërbimeve qeveritare ku qëndron pas Republika Islamike e Iranit.

Organizata e Atlantikut të Veriut, deklaroi se dënonte veprime të tilla që kishin për qëllim sigurinë dhe destabilitetin e një aleati.

"Dënojmë aktivitete të tilla keqdashëse që kanë si qëllim prishjen e sigurisë dhe destabilitetin e një aleati tonin, - thuhet në një shënim të NATO-s. - Ne promovojmë një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur dhe paqësore. Aktorët keqdashës kërkojnë të ndërhyjnë në sistemet tona qeveritare”.

"Ne qëndrojmë në solidaritet me Shqipërinë pas sulmit të fundit kibernetik në infrastrukturën e saj kombëtare të informacionit. Aleatët pranojnë deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit, - thuhet në deklaratë. - Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve. NATO dhe aleatët mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike për të përballuar dhe zmbrapsur aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen".

Sipas NATO-s, "aktorë keqdashës kërkojnë të degradojnë infrastrukturën tonë kritike, të ndërhyjnë në shërbimet tona qeveritare, të nxjerrin informacione inteligjente, të vjedhin pronën intelektuale dhe të pengojnë aktivitetet tona ushtarake".

Aleanca thekson se aleatët janë të përkushtuar të mbrojnë infrastrukturën e tyre kritike, të krijojnë elasticitet dhe të forcojnë mbrojtjen kibernetike.

"Ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive".

NATO paralajmëron se do të promovom një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt. "Ne ndjekim përpjekjet për të rritur stabilitetin dhe për të zvogëluar rreziqet e konflikteve duke promovuar respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe normave vullnetare të sjelljes së përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike, siç njihen nga të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë angazhimet e tyre ndërkombëtare për të mbështetur një qasje të bazuar në norma ndaj hapësirës kibernetike”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë