Futboll

Në Durrës luhet finalja e titullit, Tirana për të kapur trenin e fundit

Teuta-Partizani është si një finale titulli, edhe pse më pas mbeten edhe dy javë të tjera kampionat. Durrsakët luajnë “match point”-in e parë, në rast fitoreje thuajse shpallen kampionë, sepse shkëputen 6 pikë nga rivali më i fortë në garë. Në favor të Teutës është edhe barazimi, që do ta mbante Partizanin 3 pikë prapa.

Partizani, siç e ka pohuar edhe trajneri Ilir Daja në konferencë shtypi, do të luajë gjithçka për gjithçka në stadiumin “Niko Dovana”. Të kuqtë nuk kanë asgjë për të humbur dhe do t’i shkarkojnë të gjitha “bateritë” për të siguruar fitoren, që do të kishte vlera të dyfishta. Së pari do ta barazonte Partizanin me pikë me Teutën dhe së dyti do t’i jepte atij kreun, në bazë të rezultateve të ndeshjeve direkte mes dy rivalëve.

Sulmit të kuq i duhet të çajë mbrojtjen më të mirë të kampionatit, që është ajo e Teutës. Trajneri Daja është nga ata që nuk e lejon skuadrën që drejton të kalojë në aventurë, por në këtë rast edhe ai do të rrezikojë më shumë. Durrsakët, sipas trajnerit Martini, nuk do të luajnë në mbrojtje, por do të kërkojnë fitoren për t’i mbyllur llogaritë që sot.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Laçit. Gazeta Si, 17 maj 2021

Tirana-Laçi është një tjetër ndeshje me rëndësi e kësaj jave. Kryeqytetasit kanë mundësinë e fundit për Europën dhe nuk u falet gabimi. Një fitore e mundshme e tyre do të thoshte barazim me pikë me Laçin dhe parakalim i tij në tabelën e renditjes. Vllaznia ndërkohë shpreson ende te titulli. Nëse fiton sot me Kastriotin dhe në kombinim me rezultatet e ndeshjeve të tjera, mund të fitojë terren para dy javëve të fundit.

Është një javë mjaft interesante thuajse për të gjitha skuadrat, pasi vendos shumë për objektivin sezonal. Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtin orar, në orën 17:00.

Superiore, java e 34-t
Sot, ora 17:00
Tirana-Laçi
Kukësi-Bylis
Skënderbeu-Apolonia
Teuta-Partizani
Vllaznia-Kastrioti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë