Treg

Në dhjetor turistët u rritën me rreth 58%. Hyrjet më të larta nga Europa

Nga Gazeta ‘Si’- Shifra e 10 milionë turistëve që vizituan Shqipërinë në 2023-shin sapo është zyrtarizuar edhe nga të dhënat më të fundit të INSTAT.

E përkthyer në përqindje, për të gjithë vitin e shkuar erdhën 34.6% turistë më shumë se në vitin 2022.

Të dhënat për dhjetorin tregojnë se Shqipëria u vizitua nga 616.994 turistë të huaj dhe nga 745.517 shtetas shqiptarë, përkatësisht me një rritje prej 57.6% dhe 29.9%.

Rajoni me hyrjen më të lartë të turistëve të huaj është Europa me 571.348 shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 9.845 dhe 2.617 shtetas.

Rritje të ndjeshme kanë ndjerë udhëtimet për pushime dhe vizita tek të afërm, përkatësisht me 65.1% kundrejt një viti më parë. Kjo tipikisht edhe për shkak të festave të fundvitit ku emigrantët kthehen në vend pranë familjeve dhe të afërmeve.

Udhëtimet për biznes dhe qëllime profesionale u rritën me 20.4%.

Daljet e shtetasve

Teksa numri i të huajve që kanë hyrë në vend në fund të vitit ka qenë në rritje duket se shtetasit shqiptarë kanë udhëtuar më pak jashtë vendit.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë dhjetorit janë 602.346. Krahasuar me dhjetorin e shkuar ky tregues ka rënë me 5.1%. Ndërsa daljet e shtetasve të huaj janë 550.083. Ky tregues është rritur me 26.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë