Nga Gazeta ‘Si’- Për dhjetorin, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë u rrit me rreth 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Në publikimin e INSTAT për strukturat akomoduese të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve rezident u rrit me 33.2% ndërsa numri i atyre jo-rezident është rritur me 66%.
Me prurjet e turistëve, janë rritur edhe netë qëndrimet. Krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, numri i tyre është rritur me 67.5% ku zgjerimin më të lartë e kishte rritja nga jo-rezidentët me 81%.
Qendra ka qenë rajoni i preferuar i vizitorëve ku numri i netë qëndrimeve u rrit me 90.3%. Sipas tur-operatorëve turistikë kjo lidhet me turizmin kulturor dhe historik. Ata shpjegojnë se në muajt e dimrit Tirana dhe Durrësi janë qytetet kryesore që vizitohen nga turistët.
U rrit ndjeshëm norma e shfrytëzimit të hoteleve
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.
Gjatë dhjetorit norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 13.3 %, kundrejt 9.9 % që ishte në të njëjtin muaj të 2022-shi.
Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14.7 %, kundrejt 8.5 % që ishte në dhjetor të vitit të kaluar.
Për gjithë 2023-shin vendi ynë u vizitua nga 10 milionë turistë duke shënuar vitin më të mirë historik të turizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.