Futboll

Në botën e derbit Inter-Milan, një sfidë që përfshin 24 kombe

Në këtë heshtje të akullt, Interi dhe Milani do të humbasin në një stadium të braktisur të shtunën, ndoshta do të harrojnë se ai është “San Siro”, një tempull i futbollit europian, ku e gjithë bota do të donte të ishte. Derbi i Milanos do të jetë më i bukuri i viteve të fundit dhe më i çuditshmi, por do të mbetet po ai: një spektakël për planetin dhe qytetin.

Do të jetë i tillë, sepse më shumë qindra televizione do ta transmetojnë direkt, sepse dhjetëra kombe do të ndihen të përfaqësuar në atë derbi… Është norvegjezi premtues dhe marokeni që tashmë është yll, është argjentinasi që po mëson nga Mesi dhe portugezi që po mëson nga Kristiano Ronaldo. Një mori gjuhësh dhe kulturash, një formë rezistence ndaj virusit. Covid-19 ka larguar publikun dhe ka detyruar 8 lojtarë të futen në karantinë, por nuk ka larguar interesin global.

Hakimi, ylli i ri i Interit. Gazeta Si, 13 tetor 2020

Braziliani Duarte, sllovaku Shkriniar, Bastoni, Gabia, Galiardini, belgu Naingolan, rumuni Radu dhe Jang, i vetmi që e ka anglishten gjuhën e nënës, të gjithë janë jashtë për shkak të Koronavirusit. Pandemia e ka bërë më pak ndërkombëtar derbin, por është vetëm një efekt i vogël në kohët që jetojmë. Thjesht nga pronarët e klubeve e kupton që nuk është një sfidë normale, por një traktat gjeopolitik: nga njëra anë një kolos kinez dhe ng ana tjetër një fond amerikan. Suning ka rikthyer ambiciet e Interit, Elliott i ka kthyer krenarinë popullit milanist.

E ndërsa Kina dhe Amerika e shohin njëra-tjetrën keq si kurrë më parë dhe duket si një atmosferë lufte të ftohtë, dy klubet ecin përkrah njëri-tjetrit sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Një stadium i ri i pret dhe do të ndryshojë historinë e të dy dyve. Interi ka në përbërje lojtarë nga 14 kombe të ndryshme, kurse Milani nga 16 kombe. Në total, vendet e përfshira në derbin e Milanos janë 24, por edhe Italia reziston.

Nga fidanishtja kuqezi kanë dalë Kolombo dhe Maldini, merkatoja ka sjellë edhe Tonali. Tek Interi puna për të ndërtuar një nyjë të rëndësishme italiane ka nisur që sezonin e kaluar me Galiardinin, Bastonin dhe Barelën. Nuk është rastësi që flitet italisht në stol, ku Antonio Konte dhe Stefano Pioli kanë stile të ndryshme, por mision të njëjtë. Ata duan t’i japin një formë të re, secili në mënyrën e vet, shkollës fituese italiane.

Lukaku dhe Ibrahimoviç në një derbi. Gazeta Si, 13 tetor 2020

Derbi është shumëkombësh dhe mbush gjithë planetin. Në strofullat dhe getot nga ku janë nisur, Lukaku dhe Ibrahimoviç, - dy rokstarë planetarë, - mbeten idhuj. Ata nuk i kanë harruar kurrë Molenbekun dhe Rosengard, lagjet e Brukselit dhe Malmoes. Nëse para ndeshjes do takojë mikun Saelemaekers, Romelu ka një të përbashkët me të, Anderlehtin, shkollën e jetës për të dy. Në të tilla sfida dhe në të tilla kohë, identiteti është shpesh fluid. Suedezi Zllatan Ibrahimoviç e ka Bosnjën gjithmonë në zemër, Teo Hernandez ka pasaportë franceze, por kulturë spanjolle për shkak të origjinës së familjes. Çalhanoglu, i rritur në Gjermani, është një qytetar krenar turk.

Kemi edhe kryqëzimin e Magrebit. Brahim Diaz e ka gjyshen marokene dhe babanë nga një pakicë spanjolle që jeton në Afrikë, ndaj ka zgjedhur të luajë për Spanjën. Interisti Hakimi ka lindur në Madrid, por luan për kombin e prindërve të tij, Marokun. Benaser e ka zemrën të ndarë në tre pjesë: ka lindur në Arles të Francës nga një nënë algjeriane dhe baba maroken. Ka luajtur për Francën U-18, pastaj babai e shtyu drejt Marokut dhe tani Ismaeli ka në CV-në e tij një Kupë Afrike me fanellën e Algjerisë.

Kohë më parë, Inter-Milan ishte si një Superklasike e Amerikës së Jugut: Zaneti me shokë ndaj Kakasë dhe “vëllezërve” të tij. Sot Milani nuk ka gjurmë latine, pasi edhe dyshja e mbrojtjes Duarte-Muzakio është jashtë për shkak dëmtimi dhe Covidi. Milani nuk luan një derbi pa asnjë lojtar latino-amerikan në formacion apo në stol që prej 22 vitesh. Interi është ende besnik i traditës argjentinase, me Lautaron përfaqësues, por te zikaltrit tani e bëjnë ligjin kilenët, Sançez dhe Vidal.

Kroatët Brozoviç dhe Rebiç në dyluftim gjatë një derbi të kaluar. Gazeta Si, 13 tetor 2020

Shpirti i ndeshjes vjen nga Ballkani, me lojtarë sllavë në të dy kampet. Janë tre kroatët e derbi, Perisiç, Brozoviç dhe Rebiç, boshnjaku Kruniç, slloveni Handanoviç, si dhe dy serbët Kolarov dhe i riu Stankoviç, portier i tretë.

Në derbi gjen të ftohtin skandinav, por edhe vapën e Mesdheut, Eriksen dhe Kjaer luajnë derbin danez. “Vogëlushi” Hauge ka një model suedez për të ndjekur dhe nëse do ta imitojë Ibrahimoviçin, do të shkojë larg. Pak më poshtë në kontinent është një tjetër nxënës i Ibrës dhe i Ronaldos, Leao. Nuk mjafton për të shkrirë akullin e “San Siros”, por bota do t’i ketë sytë edhe tek ai.

Leao dhe Ibrahimoviç. Gazeta Si, 13 tetor 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë