Para

Në 4 muajt e parë të vitit, u rritën shpenzimet në buxhet

Nga Gazeta 'SI' - Në 4 muajt e parë të vitit 2023, në buxhetin e shtetit janë arkëtuar 206 mld lekë, sa 100% e planit të periudhës dhe 10% më shumë në raport vjetor.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 4 mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 172.6 miliard lekë me një realizim në 88% të planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 2% më të larta.

Niveli i suficitit për periudhën 4 mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 33.9 miliard lekë nga rreth 10.8 miliard lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 18.9 miliard lekë.

Të ardhurat tatimore për 4 mujorin 2023 u realizuan në masën 115.5 miliardë lekë, 15.8 miliardë ose 16% më shumë se 4 mujori i vitit të kaluar, si dhe 6% më shumë se plani i 4 mujorit 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin rezultojnë burimi më i madh i të ardhurave, si edhe rritja më e fortë në periudhën janar-prill, rreth 26 mld lekë, 44% më shumë se e njëjta periudhë 2022 dhe 35% më shumë se plani 2023.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 16 miliardë lekë, 11 % më shumë se 4 mujori 2022, si dhe 19 milionë ose 0.1% më shumë se plani i 2023-shit. Rimbursimet për periudhën 4 mujore 2023 janë 5.4 miliardë lekë, 1.6 miliardë lekë ose 40.7% më shumë se 4 mujori 2022, si dhe 133 milionë lekë ose 2.5% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 4 mujorin 2023.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 18.1 miliardë lekë, 23.5% më shumë se 4 mujori 2023, si dhe 1.5 miliardë ose 9.2% më shumë se plani i 4 mujorit 2023.Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT),  për 4 mujorin 2023 u realizuan në masën 115.5 miliardë lekë, 15.8 miliardë ose 15.9% më shumë se 4 mujori i vitit të kaluar, si dhe 6.4 miliardë lekë, ose 5.8% më shumë se plani i 4 mujorit 2023.

Taksat nacionale, për periudhën 4 mujore 2023 u realizuan në masën 11.8 miliardë lekë, 2.4 miliardë lekë ose 16.9% më shumë se 4 mujori 2022, si dhe 4.5 miliardë lekë ose 27.5% më pak se plani i përcaktuar për 4 mujorin 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 44 miliardë lekë, 5.3 miliardë lekë ose 13.8% më shumë se 4 mujori 2022, si dhe realizim 106.2 % të planit për 4 mujorin 2023.

Shpenzimet

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 92% dhe 80.5%  të planit të periudhës. Shpenzimet korrente për periudhën 4 mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 154.9 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 6.8% më i lartë ose rreth 9.8 miliard lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 4 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 17.6 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 8.6%  më i lartë ose rreth 1.4 miliard lekë më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë