Para

Në 3 muaj të huajt blenë 95 mln euro prona në Shqipëri. Shtohen investitorët ‘anonimë’

Nga Gazeta 'SI' - Në tremujorin e tretë të vitit 2023 investimet e huaja direkte në sektorin imobiliar shkuan në mbi 1.4 mld euro. Vetëm për periudhën korrik-shtator 2023, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë u investuan nga jashtë rreth 95 mln euro. Ndonëse krahasuar me tremujorët e tjerë ritmi rritës ka rënë, vlerat mbeten të larta. Nga janari në shtator, të huajt kanë blerë 222 mln euro prona në Shqipëri.

Vitet e fundit, bashkë me turizmin, u zhvillua ndjeshëm edhe tregu i pasurive të patundshme për të huajt, që kryesisht synojnë bregdetin. Kërkesa e huaj është një presion shtesë për çmimet e banesave dhe pronave në vend.

Me rritje vijojnë edhe investimet në aktivitetet financiare dhe siguruese, në sektorin e energjisë dhe industrinë nxjerrëse.

Sipas shteteve, janë shtetet europiane ato që kryesojnë investimet e huaja në Shqipëri, me Hollandën, 87 mln euro, Italinë me 42 mln dhe Turqinë me 58 mln investime. Gjatë kësaj periudhe janë rritur edhe investimet nga investitorët “anonimë” që BSH nuk i tregon për arsye konfidencialiteti, në 67 mln euro investime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë