Rend dhe Ligj

Në 24 orë ndëshkohen 19 shoferë dhe 166 qytetarë

Policia vijon me kontrollet në të gjithë territorin për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Policia thotë se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë evidentuar 19 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Po ashtu, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 166 shtetas, të cilët janë kapur duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Ndërkohë, në Tiranë, shtetasit M. K., 44 vjeç dhe D. K., 42 vjeç janë arrestuar në flagrancë nga Policia, për kundërshtim të forcave të Policisë, pasi rreth orës 19:00 të ditës së djeshme kanë lëvizur në këmbë dhe kur punonjësit e Policisë i kanë kërkuar që të identifikoheshin, ata nuk kanë pranuar dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Gjithashtu janë ndëshkuar edhe njësitë tregtare. Janë 3 njësi tregtare që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe janë ndëshkuar administratorët.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të aplikojnë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, për një pjesëtar të familjes, për të bërë pazar në qendrat urbane, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë