Njerez

Në 2022 abortet u rritën në raport me lindjet. 19-vjeçaret me normën më të lartë

Nga Gazeta ‘SI’ - Në vitin 2022, numri i aborteve në Shqipëri u ul, por raporti i tyre ndaj lindjeve u rrit, duke treguar kështu edhe nivelin e ulët të lindshmërisë në vend.

Sipas INSTAT, gjatë vitit të shkuar, ndodhën 4.199 aborte, në një raport 170 aborte për 1.000 lindje, me një rritje të fortë nga 2021-shi, kur ishte 164/1.000.

INSTAT tregon se për çdo 5.9 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort, me një rënie të lehtë nga 2021-shi, që do të thotë rritje e numrit të aborteve.

Sipas llojit, spontane (natyrore) apo të provokuara, abortet spontane përbëjnë 84% të rasteve. Grupmosha më e predispozuar për abortim është mosha më riprodhuese, 20-34 vjeç.

Raporti i abortit për grupmoshën 15-19 vjeç është analizuar në mosha teke, ku në moshën 19 vjeçare kemi vlerën më të lartë të këtij treguesi: 119 aborte për 1.000 lindje të gjalla.

Ndër vite, vihet re se gratë me nivel më të ulët arsimor kanë përqindjen më të lartë të aborteve të kryera. Në vitin 2022, 29% e grave me arsim 9 vjeçar kryen aborte, përkundrejt 25 % e grave me arsim të lartë.

Sipas statusit martesor, 72% e aborteve janë kryer nga gratë e martuara dhe 8% nga gratë beqare. Abortet nga gratë e divorcuara ose të ve janë në nivele shumë të ulëta.

Abortet e kryera nga gratë e papuna ose të pasiguruara, ndër vite, ndjekin të njëjtin trend dhe nivele të përafërta.

Në vitin 2022, përqindja e aborteve të kryera nga gratë e punësuara shënoi një rënie prej 1,7 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë