Para

“Ndryshon paketa e dytë e ndihmës për pagesat e punonjësve që kanë larguar nga listpagesa

Pandemia shkaktoi 38 mijë të papunë

Bizneset që nuk kanë aplikuar për punonjësit që kanë larguar nga listpagesat, do të kenë kohë të aplikojnë deri në 5 qershor.

Ministrja e Financave, Anila Denaj gjatë një vizite në biznese sëbashku me drejtoreshën e Tatimeve Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se Paketa e dytë e mbështetjes ndaj krizës që shkaktoi pandemia do të ndryshojë duke iu dhënë kohë bizneseve që nuk kanë aplikuar për  punonjësit e tyre. Dhe nëse ata nuk aplikojnë sërish, punonjësve do tu kalojë automatikisht paga  pas 5 qershorit për të arritur objektivin e qeverisë, që paga të mbulojë 176 mijë individë siç është deklaruar.

Denaj bëri me dije se gjatë pandemisë mars-prill, janë humbur 38 mijë vende pune, por ka siguruar bizneset se shumë shpejt gjithçka do të ketheht në normalitet të plotë.

“Hapja e bizneseve do të jetë çështje kohe, duke siguruar ato protokollet që kemi thënë si dezinfektuesit, që tani do të bëhet mënyrë jetese. Ju deri në fund të qershorit jeni të garantuar, pasi edhe pagën e qershorit e paguajmë ne për ju”, tha ministrja Denaj.

Të dhënat tregojnë se aktualisht janë 64 964 individë, të cilët kanë përfituar “pagën e luftës” nga paketa e parë dhe 109 664 të tjerë kanë përfituar 40.000 lekë nga paketa e zgjeruar.

Drejtoresha Ibrahimaj është shprehur se sapo të miratohen ndryshimet në paketën e dytë do të publikohet lista e të gjithë tatimpaguesve dhe individëve përfitues. Afati për të aplikuar do të jetë deri në 5 qershor me të njëjtat procedura si më parë.

“Ne kemi ndjekur me shumë kujdes procesin e ankesave, të ardhura nga individët apo nga tatimpaguesit, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë apo të përfitojnë nga paketa e dytë.  Ne u bëmë më dije me numrin total të të larguarve nga puna për periudhën mars-prill, i cili është rreth 38 mijë individë, dhe kemi bërë të mundur që këta individë që “defakto” janë larguar nga puna të përfitojnë nga paga e luftës.”- tha Ibrahimaj duke shtuar se “Që nga momenti i miratimit, tatimet do të afishojnë në faqen e vet të gjithë tatimpaguesit që do të jenë përfitues të këtij ndryshimi, por edhe individët që do të jenë përfitues, të cilat do të kenë kohë deri në 5 qershor të aplikojnë. Nëse bizneset nuk do të aplikojnë, ne pagën e luftës do t’ua kalojmë automatikisht të gjithë individëve që duhet të përfitojnë nga kjo pagë, dhe do të përfitojnë nga paga e luftës duke arritur vlerën 176 mijë persona”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë