Mentor Kasa - Dalja në konferencë për mediat në përfundim të mbledhjeve të Këshillit të Ministrave nuk është një traditë e vendosur nga Kryeministri Edi Rama, por vendimet e marra në mbledhjen e fundit, shefi i qeverisë zgjodhi t’i bënte publike personalisht dhe jo përmes kanaleve të komunikimeve zyrtare dhe as komunikimve të tij të pëlqyera në rrjetet sociale.
Arsyeja, sipas Ramës, ishte nevoja për të komunikuar disa masa, që për thotë se kanë një vlerë të posaçme dhe janë të mirëpritura nga qytetarët. Foli fillimisht për zgjerimin e programit të sigurisë në shkolla dhe më pas kaloi direkt tek propozimi për ndryshime ligjore që përforcojnë sigurinë e të dënuarve, apo të akuzuarve si të përfshirë në krim të organizuar.
“Për të dyshuarit, apo të dënuarit për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste, do t’i nënshtrohen një regjimi të ri të rreptë izolimi dhe monitorimi duke u ndërprerë çdo komunikim të brendshëm dhe të jashtëm, për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit”, deklaroi ai.
Modeli është marrë nga Italia dhe në të reflektohen shqetësimet e hershme të sistemit penitenciar shqiptar, kur të burgosur me disa vite burg për krim të organizuar, vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm edhe nga qelia.
“Është një model që mund ta shihni në detaje. Do të thotë se këta përfaqësues të botës së krimit do të kenë kontakte shumë të kufizuara me qëniet e tjera njerëzore dhe rreptësisht të monitoruara, përgjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit të tyre”, sqaroi Kryeministri Rama.
Pjesë e rritjes së masave të sigurisë është edhe ngritja e një salle vëzhgimi 24 orë me kamera nga Policia e Shtetit për burgjet e sigurisë së lartë, përfshirë burgun 313.
Lojërat e fatit
Një tjetër vendim i marrë nga qeveria është edhe amendimi i ligjit për lojërat e fatit, ligj që nga 1 janari i vitit të ardhshëm largon nga qëndrat e banuara të gjitha kazinotë. Ndryshimet do të largojnë nga qëndrat e banuara edhe bastet sportive.
“Nga 31 dhjetori do të pushojnë kazinotë elektronike dhe ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive dhe çdolloj basti me çdo garë, qen, kuaj e të tjera”, tha ai.
Kryeministri përçoi një mesazh të koduar edhe për ish-aleatët e LSI-së.
“Për ata që po synojnë të çajnë rrethimin e ligjit ekzistues me metodat që çanë koalicionin qeverisës kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti, sqaroj edhe një gjë tjetër, që lotaria kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike, ose siç njihen në gjuhën zyrtare VLT, duke qenë se lotaria kombëtare është një koncesion i bërë me një ligj të veçantë”, tha ai.
Rama u zotua se nuk do të ketë më shtyrje të ligjit dhe u dha afat 24 orë mediave vizive dhe të shkruara që të heqin reklamat e basteve.
“Nga 1 janari, asnjë qepen për baste, asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km/katror të Shqipërisë nuk do të hapet. Në zbatim të ligjit që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe shkelur nga të gjitha mediat, të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, radiot, gazetat dhe portalet. Ne do të kujdesemi për zbatimin e ligjit sa i përket radiove dhe televizoneve dhe pastaj do të mbyllim me forcë çdo faqe interneti e portal që e shkel këtë ligj”, u shpreh ai.
"Të fortët"
Një tjetër nismë e Qeverisë është edhe përpjekja për të ndryshuar Kodin Penal. Ndryshimet synojnë ashpërsimin e ndëshkimeve për personat që kundërshtojnë uniformën e Policisë së Shtetit, por që ato të jetësohen duhet edhe vota e opozitës.
“Qeveria ka nisur draftimin e ndryshimeve në Kodin Penal për të fortët, të cilëve, përmes një trajtimi shembullor, përmes përshkallëzimit të presionit të policisë së shtetit në çdo territor do t’u rezervojmë ndëshkime shembullore për format e tyre të karshillëkut ndaj shtetit, policisë, qytetarëve dhe bizneseve. Duke qenë se bëhet fjalë për ndryshime në Kodin Penal, këtë paketë do të ndajmë me opozitën duke shpresuar në rikthimin e saj nga filmat në botën e realitetit”, sqaroi Kryeministri.
Telekom Srbija
Rama u pyet nga gazetarët mbi interesimin e Telekom Srbija për blerjen e Telekomit shqiptar. Ai konfirmoi këtë interesim, por edhe mospëlqimin e Qeverisë shqiptare për këtë transaksion.
“Qeveria nuk është pjesë e transaksionit që do të kryejë një kompani private, që ka një strategji tërheqjeje nga tregjet e vogla dhe po bën shitje jo vetëm në shqipëri me kompaninë që do të zgjedhë të shesë biznesin. Është sektor strategjik dhe qeveria pyetet dhe i kërkohet një mendim. Bizneset serbe janë të mirëpritura në Shqipëri, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë”, u shpreh ai.
Platforma zgjedhore
Një koment, Rama e pati edhe për platformën e opozitës për zgjedhjet. Tha se nuk ishte vënë në dijeni të saj, por iu përgjigj me platformën e socialistëve, që sipas tij, adreson edhe shqetësimet e Partisë Demokratike për procesin zgjedhor.
“Kemi një rekomandim në konkluzionet e Këshillit Europian, një rekomandim që është futur fillimisht në procesin e marrjes në konsideratë nga institucionet në Bruksel përmes grupit parlamentar të CDU-CSU dhe ka marrë shqetësimin e shprehur nga PD për zgjedhjet. E kemi marrë seriozisht këtë rekomandim dhe është përfshirë në këtë proces qeveria gjermane përmes ambasadës dhe dy fondacionet e saj këtu. Kemi punuar me këto fondacione në mungesë të palës tjetër dhe kemi gati të gjithë draftin bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, plus pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik. Jemi në pritje të palës tjetër”, u përgjigj ai.
Babalja
Pa cekur nuk la as temën e preferuar të tij këto ditë; audio-përgjimin e Albert Veliut, pagëzuar prej mazhorancës si “Babale 1”.
“Në filmin Babale 1, kemi bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar, të burgosur për krim të organizuar, kemi korrupsion, kemi përfshirje të drejtpërdrejtë të partisë politike në bashkëpunim dhe me oferta korruptive dhe kemi edhe më shumë se kaq, sepse filmi është konceptuar dhe skenari është shkruar në dy skuta të shtetit shqiptar. Unë i di të gjitha nga fillimi deri në fund dhe pres që e vërteta të dalë e plotë dhe nuk kam për ta lënë pa e nxjerrë, edhe nëse ka përpjekje për ta mbuluar apo zbutur”, deklaroi Rama.
Por kush janë dy “skutat shtetërore” që kanë bashkëpunuar me opozitën në këtë “skenar”, sipas Ramës? Pyetjes nëse njëra prej këtyre skutave ishte Shërbimi Informativ Shtetëror, Kryeministri iu shmang, duke ua lënë si mision gazetarëve që ta zbulojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.