Arsim

Paketa e sigurisë, ashpërsohen masat për shkeljet që bëhen në perimetrin e shkollave

Nga Gazeta Si- Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi kanë prezantuar ditën e sotme Paketën e Sigurisë në Shkolla.

Balla tha se si fillim do të përcaktohet dhe identifikohet Perimetri i Sigurisë në shkolla ku do të përfshihen edhe hapësirat përreth shkollave, ku fëmijët qëndrojnë, ndërveprojnë dhe kalojnë pjesë të kohës së tyre para apo pas mësimit. Kjo përfshin edhe rrugët dhe rrugicat përreth kufijve të shkollës dhe të gjitha aktivitetet tregtare si dyqane, kioska dhe biznese të tjera.

“Strukturat vendore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Bashkitë, do të identifikojnë dhe përcaktojnë Perimetrin e sigurisë së çdo shkolle, sipas vlerësimit të situatës në terren, por në çdo rast jo më pak se 50 metër rreth gardhit kufizues të secilës shkollë.

Do të ndërmarrim një qasje të re penale në raport me veprat që vënë në rrezik apo cenojnë sigurinë e fëmijëve brenda këtij Perimetri Sigurie”, tha Balla duke shtuar se brenda këtij muaji, do të propozohet një paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen brenda Perimetrit të Sigurisë së shkollave, duke filluar në radhë të parë nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, e më tej mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, si dhe çdo vepër dhune, shfrytëzimi, prostitucioni apo pornografie.

Balla tha gjithashtu se edhe Punonjësit e Policisë së Shtetit që, me veprimet apo mosveprimet e tyre, tolerojnë apo bëhen bashkëpunëtorë të krimit që kryhet në Perimetrin e Sigurisë, do të përjashtohen automatikisht dhe përgjithmonë nga radhët e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, edhe bizneset tregtare që do të përfshihen në veprimtari penale të rënda në Perimetrin e Sigurisë së Shkollave do të përballen me ligjit deri në mbylljen dhe konfiskimin e pasurive.

“Një bar, ai lokali përballë shkollës, brenda Perimetrit të Sigurisë, tek i cili do të provohet nga Policia dhe konfirmohet nga prokuroria dhe gjykata, përfshirja në veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, do t’i hiqet e drejta e ushtrimit të aktivitetit tregtar”, tha Balla.

Sa i përket sigurisë rrugore, Balla tha se do t’u kërkohet Bashkive që të marrin të gjitha masat e nevojshme për vendosjen dhe mirëmbajtjen e sinjalistikës rrugore dhe semaforëve të nevojshëm brenda Perimetrit të Sigurisë së shkollave, brenda një afati 90 ditor nga sot.

“Në përfundim të këtij afati, do të kryejmë monitorimin e gjendjes së sinjalistikës së sigurisë dhe do të marrim masat ndëshkuese ndaj kryetarëve të bashkive, të parashikuara nga ligji për përmbushjen e këtij detyrimi”.

Gjithashtu do të jepet dënim maksimal për tejkalimin e shpejtësisë në rrugët që përfshihen Brenda Perimetrit të sigurisë së shkollave.

Po ashtu, duke filluar nga dita e hënë, 4 shtator, do t’i kërkohet Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) të bëjë kontrolle të shtuara në të gjithë vendin në operatorët e shërbimit ushqimor të kategorive të ndryshme që veprojnë në Perimetrin e sigurisë së shkollave lidhur me kushtet e sigurisë ushqimore.

Gjithashtu, duke filluar nga e hëna 4 shtator, Bashkitë dhe IKMT duhet të kryejnë një plan inspektimesh për verifikimin e situatës në Perimetrin e Sigurisë së shkollave që të respektohen rregullat e sigurisë së ndërtimit, të mos ketë rrënoja a papastërti të çdo lloji.

Ndërkohë, do të ketë masa kufizuese të ndalimit të duhanit jo vetëm në institucionet arsimore por edhe në të gjithë Perimetrin e Sigurisë në shkolla.

“Do të ngremë një Task Forcë të posaçme, të kryesuar nga Prefekti i qarkut, për të siguruar marrjen e masave brenda Perimetrit të sigurisë në shkolla”.

Oficerët e Sigurisë në shkolla do të bëjnë një raport të përjavshëm dhe t’i dërgohet Policisë së Shtetit lidhur me të gjitha situatat e konstatuara në ushtrimin e detyrës brenda shkollës dhe Perimetrit të Sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë