Futboll

Ndryshimi i statutit nga FSHF, Igli Tare: Dobësi e atyre që e kishin këtë ide

Ish-kapiteni i Kombëtares, Igli Tare, gjatë një prononcimi për “Sport Time”, ka folur për shumë tema, për futbollin shqiptar dhe atë italian, ku ai është protagonist me Lacion.

Mes të tjerash, Tare ka komentuar edhe çështjen e ndryshimit të statutit nga ana e FSHF-së pak kohë më parë, ku kandidatët për president, sipas statutit të ri, duhet të jenë banues të përhershëm në Shqipëri, çka mund të pengojë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, mes tyre dhe vetë Taren, të kandidojnë.

“E ndjek kampionatin shqiptar, por nuk jam i informuar aq shumë. Kam folur me Olsi Ramën dhe Osmanin, flasim për anën formale. Kombëtarja? Kur isha unë, ishte një gjeneratë shumë e mire dhe shumë nga ata lojtarë mund të luanim pa problem në Serinë A. Ndryshimi i statutit? Është një dobësi e atyre që e kanë pasur idenë për këtë vendim. Nuk mund t’ua mohosh të drejtën të kandidojnë figurave të futbollit shqiptar që kanë dhënë shumë. Është një zgjedhje dobësie”, - ka thënë Tare.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Gazeta Si, 26 janar 2021

Drejtori sportiv i Lacios beson se trajnerët shqiptarë mund të bëjnë mirë edhe në futbollin europian: “Mjafton të kujtojmë Besnik Hasin, ka bërë mirë me shumë skuadra. Ervin Skela mund të jetë një trajner i mirë, pasi po bën një punë të mirë me moshat te Eintraht Frankfurti”.

Pastaj Tare është rikthyer te Kombëtarja, port e skuadra aktuale: “Nuk e shikoj si problem grupin. Të luash kundër Anglisë, është e vështirë, edhe ndaj Polonisë dhe Hungarisë gjithashtu. Është grup i luftuar, Shqipëria mund të arrijë vendin e dytë. Kombëtarja ka lojtarë të rinj, ata luajnë me Kombëtaren pavarësisht mungesës së minutave dhe nuk është e lehtë për t’u ambientuar.

Mbrojtja është mbi nivelin mesatar. Mesfusha është pika më e dobët, mungojnë dy lojtarë që mund t’i japin jetëgjatësi këtij reparti. Bare është mirë, Gjasula ka experience, por është një repart që e shikoj me pak vështirësi. Sulmi ka disa lojtarë të rinj, plus Cikalleshin dhe Sadikun”, - është shprehur Tare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë