Njerez

Ndryshimi i ligjit për asistencën sociale! Pse po hiqet bonusi i bebeve që lindin jashtë

Komisioni për Çështjet Ligjore diskutoi sot për bonusin e bebeve. Sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ky bonus nuk do të jepet më për familjet që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Denada Seferi, tha se me këtë propozim do të shmangen përfitimet e dyfishta nga familjet që jetojnë jashtë vendit, si dhe do të krijohen kushte të barabarta për ata që jetojnë brenda territorit të Shqipërisë.

“Bonusi i bebeve u vendos për të mbështetur çdo të porsalindur dhe familjet e tyre. Kjo është bërë në kuadër të rritjes së shtesës së popullsisë. Gjatë viteve 2019-2023 ne kemi ndjekur në vazhdimësi akordimin e 188 623 shpërblimeve për foshnjat e lindura brenda dhe jashtë vendit, kemi parë se gjatë këtyre viteve është rritur ndjeshëm numri i familjeve të mbështetura që nuk janë rezidente në Republikën e Shqipërisë.

LEXO EDHE:
Shqiptarët që nuk janë rezidentë në Shqipëri nuk do të marrin më bonusin e bebes

Në këtë kuadër, me kërkesë të deputetëve dhe të disa grupeve që kanë ardhur me studime nga terreni, kemi arritur në përfundimin se ky bonus duhet të përfitohet vetëm nga qytetarët që jetojnë në territorin e vendit.

Nga analiza e kryer, rezulton se prindërit që lindin fëmijë jashtë vendit përfitojnë edhe pagesa nga vendet ku punojnë dhe jetojnë, duke marrë kështu pagesa nga të dy vendet”, deklaroi zv.ministrja e Shëndetësisë.

Propozimi nuk u prit mirë nga opozita, e cila vuri në dukje mungesën e raportit dhe ndikimin që ky propozim ka në buxhetin e shtetit. Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi nënvizoi se në një kohë kur raportet nga KLSH dhe raportet ndërkombëtare tregojnë abuzime parash dhe humbje miliona lekësh në politika të ndryshme, qeveria dhe parlamenti investojnë shumë për heqjen e bonusit për foshnjat e lindura jashtë vendit.

“Varfëria dhe minimum jetik janë dy nga shqetësimet më të mëdha në vend. Kemi dorëzuar një paketë në lidhje me ndihmën sociale. Sot nga ju pritej një projektligj për rritjen e asistencës sociale dhe miratimin e një minimumi jetik si dhe për të pasur një raport të qartë për treguesit demografikë për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë ju sillni vetëm një element, kufizimin e bonusit të bebeve vetëm për fëmijët e lindur në Shqipëri. Në një raport me 23 mijë bebe brenda vendit dhe 18 mijë jashtë vendit, ju nuk sillni një analizë të detajuar të efektit të heqjes së bonusit të bebes. Ju po u thoni këtyre fëmijëve që ne nuk ju njohim më, ndërkohë që po bëjmë përpjekje që ta afrojmë diasporën sa më pranë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë