Mjedis

Ndryshimi i klimës dhe Covid-19, niveli i CO2 ra kudo në botë

Ne po jetojmë në një kohë kur normat e karbonit janë më të ulëtat që janë regjistruar ndonjëherë. Asnjë luftë, asnjë recesion, asnjë pandemi e mëparshme nuk ka pasur një ndikim kaq dramatik në emetimet e CO2 si Covid-19 brenda disa muajve të shkurtër. Por edhe pse do të shohim një rënie masive këtë vit, përqendrimet e CO2 që janë në atmosferë dhe ngrohja globale e planetit tonë nuk do të stabilizohen derisa bota të arrijë emetimet zero. Ndërsa këto burime të energjisë kanë transformuar botën, karboni që rrjedh në atmosferën tonë ka nxitur temperaturat globale me pak më shumë se 1 gradë celsius që nga mesi i viteve 1850. Ato mund të rriten me 3-4 gradë celsius deri në fund të këtij shekulli nëse nivelet e CO2 nuk zvogëlohen në mënyrë të menjëhershme. Gjatë 100 viteve të kaluara, siç shikohet në grafikë, një numër ngjarjesh kanë treguar se rënia dramatike e karbonit është e mundur.
Në pak muaj, kërkesa për energji në botë ka rënë ndjeshëm. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) thotë se bota do të përdorë 6% më pak energji këtë vit ekuivalente me humbjen e gjithë kërkesës për energji të Indisë. Kjo do të sjellë rënie të mëdha të CO2. Një numër i analizave të ndryshme, përfshirë edhe atë nga kompania Carbon Brief, tregojnë se emetimet gjatë këtij viti do të bien me 4-8%, diku midis 2 dhe 3 miliardë ton gaz të ngrohjes.
Gjatë gjithë vitit, nevoja për energji elektrike do të bjerë me 5% dhe kjo është rënia më e madhe që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.
"Kjo është një tronditje historike për të gjithë botën e energjisë," thotë Fatih Birol, drejtori ekzekutiv i IEA.
Ndryshimet në kërkesën e energjisë do të godasin kërkesën globale të qymyrit, i cili do të bjerë 8% këtë vit.

Studiuesit thonë se gjëja më e madhe që ka krijuar këtë gjendje është bllokimi i transportit rrugor. Sipas IEA aktiviteti mesatar global i transportit rrugor ra në 50% të nivelit të 2019 deri në fund të marsit 2020. Siç shihet në grafikun tonë, pothuajse çdo vend ka parë një rënie të madhe të përdorimit të rrugës. Kjo ka rezultuar në një rënie masive të përdorimit të naftës.
"Prapa në recesionin e vitit 2009, kërkesa mesatare për naftë ra me 1.3 milion fuçi në ditë kundrejt vitit 2008. Dhe tani viti 2020-ta është caktuar të jetë mesatarisht 10 milion fuçi në ditë më pak se 2019," tha Erik Holm Reiso, nga Rystad Energy, një firmë e pavarur kërkimore.
Në mënyrë të ngjashme, udhëtimi ajror ka rënë jashtëzakonisht shumë, por për sasi të ndryshme në rajone të ndryshme. Në Europë, numri i fluturimeve është rreth 90%, ndërsa në SHBA ka qenë më elastik me rreth gjysmën e numrit të aeroplanëve që u ngritën në krahasim me vitin e kaluar. Megjithatë, globalisht, kërkesa për karburant fluturues është ulur 65% nga viti në vit deri në prill.
"Ajo që ne po shohim është se ulja më e madhe relative është në trafikun ajror," tha Robbie Andrew, një studiues i vjetër në Qendrën për Klimën Ndërkombëtare dhe Kërkimin e Mjedisit.


Nuk është njësoj kudo
Ndërsa bllokimi mund të ndihet mjaft i njëtrajtshëm në të gjithë botën, ka pasur ndryshime të mëdha në zvogëlimin e emetimeve nga qytete të ndryshme. Nëse marrim shembuj Parisin dhe Nju Jorkun, kontrasti, është i madh.
Për shembull Parisi pa një rënie të CO2 prej 72% në muajin Mars në krahasim me normalen, ndërsa Nju Jork në të njëjtën periudhë, pa një rënie të CO2 prej rreth 10%.

Atëherë pse ndodh ky ndryshim i madh?
"Në zonën e Parisit, nuk ka termocentrale të mëdhenj fosile, apo site industriale. Një ndryshim tjetër është nëse ndërtesat ngrohen me lëndë djegëse ose me energji elektrike. Në Francë, rreth 70% e energjisë elektrike vjen nga bërthamore," tha Philippe Ciais, nga Instituti Pierre Simon Laplace në Paris.
Pjesa më e madhe e CO2 e Nju Jorkut vjen nga emetimet që lidhen me ngrohjen e ndërtesave. Por emetimet e konsiderueshme vijnë nga impiantet e karburantit fosil bazuar në kufijtë e qytetit. Makinat përbëjnë një pjesë shumë më të vogël të përdorimit të përgjithshëm të energjisë.
"Unë mendoj se diçka për të menduar është që ne mbyllëm tërë qytetin dhe morëm një ulje prej 10% në emetimet e CO2. Ne ende po emitojmë më shumë se 80% të emetimeve tona të mëparshme të CO2. Ky është një numër masiv. Pra, sjellja personale nuk do të rregullojë problemin e emetimit të karbonit. Ne kemi nevojë për një ndryshim sistematik në mënyrën se si gjenerohet dhe transmetohet energjia,” tha Róisín Commane nga universiteti Columbia në Nju Jork.
Në vitin 2008, industria europiane e energjisë elektrike u godit keq nga recesioni financiar global dhe kërkesa për energji ra ndjeshëm.
"Në gjysmën e botës, ne kemi parë tashmë kërkesën e pikut për lëndë djegëse fosile," tha Kingsmill Bond, nga një ekspert i pavarur financiar në kompaninë Carbon Tracker.
Rënia e emetimeve të karbonit që pasuan recesionin në vitin 2009 u pasua nga një rritje e mprehtë prej gati 6% në 2010 dhe kështu ekspertët kanë frikë nëse mund të ndodh diçka e ngjashme mund të ndodhë gjatë dy viteve të ardhshme.

Po sikur niveli i CO2 të ishte zvogëluar kështu çdo vit?
Për ta mbajtur botën në rrugën e duhur që të qëndrojë në temperaturën 1.5 gradë celsius, globit i duhet të “përjetojë” histori të ngjashme çdo vit.
"Nëse Covid-19 çon në një rënie të emetimeve prej rreth 5% në vitin 2020, atëherë kjo është lloji i zvogëlimit që na duhet çdo vit derisa emetimet zero të arrihen rreth vitit 2050. Ulje të tilla të emetimeve nuk do të ndodhin përmes bllokimeve dhe kufizimeve, por nga politikat klimatike që çojnë në vendosjen e teknologjive të pastra dhe zvogëlimin e kërkesës për energji,” tha eksperti i mjedisit Glen Peter.
Shumë studiues të klimës janë optimistë se kjo pandemi vdekjeprurëse u ka mësuar qeverive disa mësime kritike që ato duhet të zbatojnë për problemin e rritjes së temperaturave. Sfida e madhe është të sigurohet që rimëkëmbja ka një fokus të gjelbër. Burimi BBC, përshtati në shqip Gazeta SI


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë