Mjedis

Ndryshimi i klimës: Bota tani ka dy herë më shumë ditë mbi 50 gradë Celsius

Numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta çdo vit kur temperatura arrin 50 gradë Celcius është dyfishuar që nga vitet 1980.

Sipas një analize globale nga BBC, ditët e nxehta gjithashtu ndodhin tani në më shumë zona të botës se më parë, duke paraqitur sfida të mëdha për shëndetin e njeriut dhe mënyrën se si jetojmë.

Numri i përgjithshëm i ditëve mbi 50 gradë Celcius  është rritur në çdo dekadë që nga viti 1980. Mesatarisht, mes viteve 1980 dhe 2009, temperaturat kaluan 50 gradë Celcius rreth 14 ditë në vit dhe numri u rrit në 26 ditë në vitet midis 2010 dhe 2019.

Në të njëjtën periudhë, temperaturat prej 45 gradë Celcius dhe më lart ndodhën mesatarisht dy javë shtesë në vit.

"Rritja mund t'i atribuohet 100% djegies së karburanteve fosile," thotë Friederike Otto, drejtor i Institutit të Ndryshimit të Mjedisit në Universitetin e Oksfordit.

Ndërsa e gjithë bota ngrohet, temperaturat ekstreme bëhen më të mundshme.

Nxehtësia e lartë mund të jetë vdekjeprurëse për njerëzit dhe natyrën, dhe të shkaktojë probleme të mëdha në ndërtesa, rrugë dhe sisteme energjetike.

Temperaturat prej 50 gradë Celcius ndodhin kryesisht në Lindjen e Mesme.

Dhe pas temperaturave rekord prej 48.8 gradë në Itali dhe 49.6 gradë në Kanada këtë verë, shkencëtarët kanë paralajmëruar se ditë mbi 50 gradë celcius do të ndodhin dhe në vende të tjera, nëse nuk ulim emetimet e karburanteve fosile.

"Ne duhet të veprojmë shpejt. Sa më shpejt të ulim emetimet tona, aq më mirë do të jemi të gjithë," thotë Sihan Li, studiues i klimës në Shkollën e Gjeografisë dhe Mjedisit në Universitetin e Oksfordit.

"Me emetimet e vazhdueshme dhe mungesën e veprimit, jo vetëm që këto ngjarje ekstreme të nxehtësisë do të bëhen më të rënda dhe më të shpeshta, por reagimi dhe rimëkëmbja emergjente do të bëhen më sfiduese," paralajmëron Li.

Analiza e BBC zbuloi gjithashtu se në dekadën e fundit, temperaturat maksimale u rritën me 0.5 gradë Celcius në krahasim me mesataren afatgjatë nga 1980 në 2009.

Por këto rritje nuk janë ndjerë njësoj në të gjithë botën: Europa Lindore, Afrika jugore dhe Brazili panë disa temperatura maksimale të rriten me më shumë se 1 gradë dhe pjesë të Arktikut dhe Lindjes së Mesme regjistruan rritje prej më shumë se 2 gradë Celcius.

Shkencëtarët po bëjnë thirrje për veprime urgjente nga udhëheqësit botërorë në një samit të OKB-së në Glasgow në Nëntor, ku qeverive do t'u kërkohet të angazhohen për shkurtime të reja të emetimeve në mënyrë që të kufizojnë rritjen e temperaturës globale.

Edhe nën 50°C, temperaturat e larta dhe lagështia mund të krijojnë rreziqe të rënda shëndetësore.

Rreth 1.2 miliardë njerëz në të gjithë botën mund të përballen me kushtet e stresit të nxehtësisë deri në vitin 2100 nëse nivelet aktuale të ngrohjes globale vazhdojnë, sipas një studimi të Universitetit Rutgers në SHBA të botuar vitin e kaluar. Kjo është të paktën katër herë më shumë se ato të prekura sot.

Njerëzit po përballen gjithashtu me zgjedhje të vështira ndërsa peizazhi përreth tyre ndryshon, pasi nxehtësia ekstreme e bën thatësirën dhe zjarret më të mundshme. Ndërsa, faktorë të tjerë mund të kontribuojnë, ndryshimi i klimës është gjithashtu një forcë e rëndësishme shtytëse pas shkretëtirëzimit.

Shejh Kazem Al Kaabi është një fermer gruri nga një fshat në Irakun qendror. Toka rreth tij dikur ishte mjaft pjellore por gradualisht është bërë e thatë dhe shterpë.

"E gjithë kjo tokë ishte e gjelbër, por e gjithë kjo është zhdukur. Tani është një shkretëtirë, thatësirë."

Pothuajse të gjithë njerëzit nga fshati i tij janë larguar për të kërkuar punë në krahina të tjera.

"Kam humbur vëllain tim, miq të dashur dhe fqinjë besnikë. Ata ndanë gjithçka me mua, madje edhe të qeshurën time. Tani askush nuk ndan asgjë me mua, unë jam vetëm ballë për ballë me këtë tokë të zbrazët", thotë ai.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë