Politike

Ndryshimet e buxhetit, Teliti: Rriten shpenzimet operative shkurtohen investimet në shëndetësi dhe arsim  

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësuesi i PD, Dorian Teliti, komentoi në një konferencë për shtyp aktin normativ për ndryshimet e buxhetit të vitit aktual 2023.

“Qeveria krenohet se janë rritur të ardhurat totale, gjë që ndodh sepse janë rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, barrë që rëndon e tëra në kurrizin e sipërmarrësve vendas, por ajo nuk thotë se pse kanë rënë me 70 milionë euro të ardhurat që vijnë nga tatimet dhe doganat.

Qeveria edhe sot nuk dha asnjë shpjegim konkret se përse, ndonëse çmimet vazhdojnë të rriten dita – ditës, dhe sidomos çmimet e shportës së ushqimeve, qeveria nuk ndërmerr asnjë paketë mbështetëse për shtresat e prekura dhe bizneset që janë në prag të falimentit.

Nga ana tjetër, qeveria nuk ngurron, me një të rënë të lapsit, të rrisë shpenzimet operative të qeverisjes së përgjithshme, me 100 milionë euro më shumë, që do të vazhdojnë edhe më fort të financojnë shpenzimet për fasada dhe luksin qeveritar.

Ndonëse ligji organik i buxhetit parashikon detyrimin e zbardhjes së listës së investimeve publike të cilat preken nga rialokimet e fondeve, në këtë Akt Normativ qeveria nuk e bën publike se cilave projekte konkretisht do t’u ulet financimi vjetor i parashikuar.

Ndonëse rriten shpenzimet operative të qeverisë, sot kartonët miratuan shkurtimet e fondeve të investimeve për disa programe shumë të rëndësishme”, tha Teliti duke renditur më pas fondet që shkurtohen.

“Shkurtohen me pothuajse 9 milionë euro investimet në strehim.

Shkurtohen me 8.5 milionë euro investimet në arsim, me pak fjalë do kemi më pak shkolla të ndërtuara.

Shkurtohen me 7 milionë euro investimet në shëndetësi dhe përkujdesin social.

Shkurtohen me pothuajse 2 milionë euro investimet në emergjencat civile.

Dhe qershia mbi tortë, shkurtojnë investimet në strehim, arsim dhe shëndetësi, ama nuk ngurojnë të rrisin me 2 milionë euro investimet në godinat qeveritare.

Këto të dashur qytetarë janë të vërtetat e aktit normativ të  buxhetit të vitit aktual 2023”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë