Futboll

Ndoj ndërron ekip në Itali, ish-mesfushori kuqezi largohet pas 8 vitesh nga Breshia

Gazeta Si – Është ende shumë i ri, por duket sikur është harruar nga Kombëtarja shqiptare për shkak edhe të problemeve fizike që ka kaluar kohët e fundit. Emanuele Ndoj, 27 vjeç, i rritur te Roma dhe me një karrierë të lidhur fort me Breshian, ka ndërruar skuadër në vendin fqinj.

Mesfushori është larguar nga Breshia pas 8 vitesh dhe pritet të firmosë për Lekon po në Itali. Me një postim të gjatë në rrjetet sociale, Ndoj i ka dhënë lamtumirën Breshias, ku ka shijuar momente shumë të bukura si protagonist.

Futbollisti me pasaportë italiane dhe shqiptare është grumbulluar më parë nga Kombëtarja, ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar edhe një gol. Dëmtimet nuk e kanë lënë të japë më të mirën e tij dhe vitet e fundit ka munguar në listën kuqezi.

Megjithatë, ka ende kohë. Ndoshta një rilindje me Lekon mund t’i rikthejë edhe fanellën kuqezi mesfushorit që ka luajtur më parë në të gjitha kombëtaret e moshave, nga U-17 tek U-21.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë