Rend dhe Ligj

Ndihmonin në shkeljen e kufirit, SHÇBA arreston 6 policët

Me akuzën e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës janë vënë në pranga gjashtë punonjës të Policisë Kufitare në Gjirokastër. Ndalimi i efektivëve të Policisë është bërë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pas një hetimi disa mujor.

Sipas njoftimit zyrtar të SHÇBA, policët janë vënë për shkak se dyshohen se kundrejt ryshfetit, ndihmonin në kalimin e kufirit të personave që kishin probleme në zonën Shengen. 6 punonjësit e Policisë Kufitare akuzohen se kishin kryer shkeljen e ligjit kryesisht në zonën kufitare të Kakavijës.

SHÇBA bën me dije se duke shpërdoruar detyrën, këta punonjës policie në kohë të ndryshme kishin lehtësuar kalimin e paligjshëm nëpërmjet vijës së gjelbër, kundrejt shpërblimit. 6 efektivët e Policisë së Gjirokastrës janë mbajtur nën vëzhgim nga shërbimet e SHÇBA për një kohë të gjatë, për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të tyre.

Pas arrestimit të gjashtë efektivët kanë dalë para Gjykatës së Rrethit gjyqësor Gjirokastër, e cila ka vendosur për këta punonjës policie, masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Këta janë gjashtë efektivët e Policisë Kufitare Gjirokastër që janë vënë në pranga nga shërbimet e SHÇBA:

Gentian Gjolleshi, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër

Luan Shosha, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër

Roland Gega, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër

Afrim Çomo, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër

Edmond Nikolla, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër

Fatmir Beqo, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër

Bashkë me 6 efektivët e Policisë Kufitare Gjirokastër në pranga është vënë edhe shtetasi Besnik Sinani, nga Fieri. Sakaq, policia bën me dije se po punohet për ndalimin e një shtetasi tjetër të shpallur në kërkim, i cili gjithashtu akuzohet se ka marrë pjesë në këtë veprimtari të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë