Rend dhe Ligj

Ndëshkime të reja, Rama: Do ngremë kordonët dhe burg për shkelësit

Kryeministri Edi Rama publikoi foto të mediave online ku njerëz të shumtë në Tiranë dynden tregjeve pa respektuar asnjë masë.

“Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për tu lëshuar me idenë se nuk na gjen gjë atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk di të hyjë në rresht për të mbajtur rradhë…”, shkruan Rama në Facebook.

Kryeministri paralajmëron masa të reja ndëshkimore ditën e hënë.  

“Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve, Policia e Shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja ndëshkimore. Masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie…”, shkruan ai

“Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar”, nënvizon Rama.

Më Shumë