Futboll

Ndeshjet me dyer të mbyllura, zhduket faktori fushë

Rifillimi i Bundesligës, me vetëm 3 fitore në shtëpi, 7 barazime dhe 12 fitore në transfertë, 22 ndeshje të luajtura deri më tani, duket se sugjeron që faktori fushë nuk ekziston më. Një studim i Universitetit të Reading dhe Shkollës së menaxhimit të Otto Beisheim në Dusseldorf mbi ndikimin që turma mund të ketë në performancën e futbollistëve dhe gjyqtarëve, konfirmon se mungesa e tifozëve, ndikon tek ekipet pritëse.

Janë marrë parasysh ndeshjet në kupat evropiane dhe në ligat kryesore kontinentale që nga sezoni 2002/2003 deri më tani: janë 161 ndeshje, 103 prej të cilave në Itali. Sa për rezultatin e fushës, del se në 46% të rasteve kanë fituar ekipet pritëse, pa publik kjo shifër zbret me 10%.  Ekipet udhëtuese kanë fituar vetëm në 26%, pa tifozë 34%. Të dhënat e golave ​​të shënuar sugjerojnë se pa praninë e tifozëve të tyre skuadrat vendase shënojnë më pak: Nga 1,45 gola për ndeshje, pa tifozë ka shkuar në 1,23 gola për ndeshje.  

Pjesa e Bundesligës e luajtur deri më tani rrit trendin:  13.6% fitore në shtëpi, 31.8% barazime dhe 54.6% në transfertë. Sa për gjyqtarët, nëse nga njëra anë shifrat nuk sugjerojnë një ndikim të rëndësishëm të faktorit mjedisor te makro-vendimet ( penalltitë, kartonat ), nga ana tjetër, kartonët e verdhë për miqtë variojnë nga 2.28 për ndeshjet me tifozët, në 1.90 me dyer të mbyllura. Një ndryshim i dukshëm. Përtej vlerave teknike, numrat flasin qartë: Stadiumet bosh ndikojnë te performanca e ekipeve. Dhe Borussia e djeshme e vërtetoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë