Futboll

Ndeshje të trukuara dhe kartonë të lehtë! Shfaqen hijet e mashtrimit sportiv në Itali

Gazeta Si – Hetuesit po zbërthejnë me kujdes të dhënat që kanë tashmë në duar, duke i kryqëzuar ato me detaje të tjera. Hetimi është zgjeruar dhe duket si një ‘Calciopoli 2”.

Ndeshje të trukuara dhe ndëshkime të dyshimta me kartonë. Prokuroria e Torinos po punon edhe në këtë drejtim. Prej muajsh po mundohet të zbërthejë botën e errët të basteve ilegale, me protagonistë edhe disa futbollistë të Serisë A.

Për momentin të akuzuar janë Faxholi, Tonali dhe Xaniolo, por nuk përjashtohen surprizat e tjera. Edhe në fronin e mashtrimit sportiv, pasi dyshimi është se kemi të bëjmë me ndeshje ‘të ndrequra’ për përfitim, apo edhe kartonë të lehtë të marrë me lehtësi po për përfitim financiar.

Hetuesit po shohin me shumë kujdes rezultatet e ndeshjeve nën vëzhgim, duke bërë ballafaqimin me të dhënat që janë gjetur në telefonat e sekuestruar. ‘Për momentin, - shkruan ‘Corriere della Sera’, - nuk janë elementët për të thënë se kemi të bëjmë me ndeshje të trukuara”.

Duhet nënvizuar fakti se ajo e mashtrimit sportiv nuk është hipoteza e një vepre penale që bën pjesë aktualisht në fashikujt e hetimit. Prokuroria po vepron me rreze të gjerë, duke vlerësuar të gjitha pistat, mes tyre edhe atë të trukimit të ndeshjeve.

Objektivi është për t’i shkuar në thellësi hetimit për të mos humbur asnjë aspekt të ngjarjes. Aktualisht po zbërthehen celularët dhe tabletat e sekuestruara të Xaniolos dhe Tonali në Koverçiano. Do të kontrollohen të gjitha bisedat, siç ka ndodhur me Faxholin. Pikërisht nga celulari i juventinit dolën emrat e lojtarëve të tjerë të Serisë A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë