Futboll

Ndeshje dramatike, PSG përmbys Atalantën në tre minutat e fundit (video)

PSG është gjysmëfinalisti i Parë i Champions League në këtë edicion që po mbyllet në mënyrë të pazakonte më një. Skuadra pariziene ka fituar në mënyrë dramatike përballë Atalantës e cila i shkoi shumë pranë mrekullisë dhe u dorëzua vetëm në momentin e fundit të sfidës falë një përmbysje të ekipit francez. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin "Da Luz" të Benfikës, ‘’hirushja’’ e Champions u dorëzua përballë PSG në minutat e fundit duke u mundur me rezultatin 1-2.

https://streamable.com/mulm6o

Italianët kaluan të parët në avantazh me kroatin Mario Pasalic në minutën e 27-të, i cili pas një aksioni me shumë pasime të skuadrës italiane dërgoi topin në rrjetë më një gjuajtje perfekte. Neymar rrezikoi disa herë portën e Sportielos por ishte i pafat, i rrethuar nga mbrojtësit të cilët u munduan ta ndalnin në çdo mënyrë, ashtu si edhe Icardin, i cili ishte në ditën e tij më të keqe.

Në pjesën e dytë u akorduan shumë kartona të verdhë, ndërsa Tuchel nuk kishte çfarë të humbte dhe luajti kartën Mbappé në pjesën e dytë, ndërsa Gjimshiti i cili ka hyrë në histori, duke u bërë i pari lojtar i Kombëtares shqiptare që luan në çerekfinalet e Champions League, u zëvendësua pas një ore, sepse kishte karton të verdhë e rrezikonte të merrte të dytin.

PSG sulmoi me forca të shumta dhe në fund, mes rrëmujës dhe pas shumë përpjekjeve kampionët e Francës gjetën golin e barazimit me Marquinho, kur regjistrohej minuta e 90-të.

Atëherë kur u mendua se do të duhej të luhej edhe koha shtesë për t'u njohur me gjysmëfinalisten e parë, Kylian Mbappé i aktivizuar në pjesën e dytë shërbeu për Choupo Moting, i cili fare pranë portës nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë, duke i dhënë fund përrallës së Atalantës.

Francezët do të përballen në gjysmëfinale me fituesin e takimit Leipzig-Atletico Madrid. Kjo është hera e parë që 9 herë fituesit e Ligue 1, kualifikohen për fazën gjysmëfinale të Champions League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë