Lajme

Ndërpriten njëanshëm 27 kontrata me shkelje për ndërtimin e HEC-eve

Janë 27 kontrata koncesionare për ndërtimin e HEC-eve të cilat pritet të ndërpriten në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Energjetikës për shkelje të çdo afati kontraktual në lidhje me nisjen e punimeve.

Zv Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës Hantin Bonati në një dalje për mediat sot bëri me dije se këto kontrata të tipologjisë së tretë kanë rezultuar me shkelje të rënda kontraktuale, pas vlerësimit, të cilat ende nuk kanë filluar punimet në terren ose kanë nisur të ndërtojnë pa leje, ose kanë braktisur për një kohë të gjatë punimet.

“Për to do të vijohet nga ana jonë komunikimi me subjektet për ndërprerjen e kontratave në mënyrë të njëanshme duke iu referuar neneve të saj bazuar në kuadrin ligjor”- tha ai.
Sipas Bonatit, do të nisë procesi i riinxhinierimit për këtë veprimtari me mbështetje të qeverisë zvicerane. Zv ministri u shpreh se do të ketë përpjekje maksimale për ti shkaktuar kosto sa më minimale buxhetit të shtetit.

Ministria e Energjetikës, ashtu siç tha edhe Bonati ka përfunduar vlerësimin e ecurisë dhe zbatimit të kontratave të nënshkruara që nuk kanë filluar procesin e operimit.

Ai i renditi në tre tipologji ecurinë e këtyre kontratave; në tipologjinë e parë janë përfshirë praktikat që janë brenda afateve kontraktuale për të vënë në funskion veprën. Në këtë grup janë 44 kontrata koncesionare për ndërtimin e 92 HEC-eve dhe 57 kontrata objekt i Vendimit të Këshillit të Minsitrave i vitit 2015 për ndërtimin e 61 HEC-eve.

“Për trajtimin e tyre nga ana jonë do ti përcillet çdo subjekti një shkresë ku do ti përcaktohen afatet kohore të mbetura në dispozicion për të respektuar kontratën, problematikat e evidentuara, penalitetet për shkeljet e konstatuara, rekomandimet me masat që duhet të ndërmarin për të përmbushur tërësisht kushtet e kontratës si dhe penalitetet e masat me të cilat do të përballen në rast mosrespektimit të kushteve në vijim”- sqaroi Bonati.

Në tipologjinë e dytë Ministria gjatë vlerësimit ka përfshirë praktikat të cilave u ka përfunduar afati kontraktual, subjektet e të cilave ose kanë vënë në funskion një apo disa HEC-e dhe një ose disa të tjerë jo dhe këtu përfshihen 20 kontrata koncesionare për ndërtimin e 60 HEC-eve, një kontratë e bazuar në një VKM për ndërtimin e 3 HEC-eve, ose kanë bërë investime të pafinalizuara në mospërputhje me kontratën. 11 kontrata koncesionare për ndërtimin e 21 HEC-eve.

Problematikat e mësipërme sipas vlerësimeve janë shkaktuar nga burokracirat ose rrethana që nuk varen nga subjekti, sikurse edhe nga mospërmbushja, neglizhenca apo paligjshmëria në veprim nga subjekti.

Për trajtimin në vijimësi të tyre, zv Ministri Bonati bëri me dije për kontratat që janë vonuar nga burokracitë do të hyhet në marrëveshje që të rishikohen kontratat konform kuadrit ligjor.

Nëse vonesat kanë ardhur për shkak të vetë subjekteve do të vijohet me penalitete deri në ndërprerjen e njëanshme të kontratatve.
Organizata mjedisore Eco Albania pak muaj më parë do të hidhte dyshimin se skanimi i kontratave të HEC-eve i ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës bëhet për pazare. Gjithashtu organizata do të bënte me dije se procesi është aspak transparent për publikun.

Olsi Nika, Drejtor i Eco Albania do të argumentonte se ky proces bëhet akoma më i pabesueshëm pasi sipas tij, Ministria e Energjisë që e ka ndërmarrë këtë nismë është ajo që miraton kontratat, por nuk ka asnjë kompetencë në lidhje me çështjet e mjedisit, e gjithashtu as kapacitete për ta bërë këtë. Nika do të sugjeronte se skanimi i këtyre kontratave duhej të bëhej nga një komision me bazë të gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë