Biznes

Ndërmarrjet mikro në vështirësi financiare mes shitjeve në rënie dhe huave

Ndërmarrjet mikro që përbëjnë afërsisht 90% të totalit të ndërmarrjeve në Shqipëri, deklarojnë vështirësi të gjendjes së tyre financiare.

Një studim kërkimor i Kliti Ceca dhe Elona Dushku të Bankës së Shqipërisë, për gjysmën e dytë të vitit 2017-të, zbulon se problemet kryesore që kanë ndikuar veprimtarinë e ndërmarrjeve mikro, kanë qenë: konkurrenca, gjetja e tregjeve të reja, borxhet e pashlyera, kostoja dhe aksesi në financim.

Studiuesit kanë marrë në shqyrtim një kampion prej 2304 familjesh, 53% të cilave kanë pohuar se shitjet e tyre janë ulur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017; 36% kanë thënë se shitjet kanë mbetur të pandryshuara dhe vetëm 11% e ndërmarrjeve janë shprehur shitjet janë ulur.

Gjysma e ndërmarrjeve të pyetura për pjesën e parë të vitit 2017-të, kanë deklaruar se gjendja e tyre financiare ka rënë, 39% janë shprehur se ka mbetur e pandryshuar dhe 11% kanë thënë se rezultati financiar është rritur.

Në lidhje me zgjerimin (apo jo) të aktivitetit (apo të investimeve) 5, 83% e ndërmarrjeve pohojnë se as nuk e kanë ndryshuar aktivitetin (apo investimet) gjatë gjashtëmujorit të parë të 2017 dhe as nuk presin që do të ndryshojë gjatë gjashtëmujorit në vazhdim.
Burimet kryesore të financimit të ndërmarrjeve mikro janë shitjet dhe fondet e veta, ndërsa huaja ka një peshë të vogël.

75% e ndërmarrjeve mikro përdorin të ardhurat nga shitjet si burim kryesor të financimit. Burimi i dytë i financimit janë rezervat e mbartura apo shtesat e kapitalit.
Vetëm 26% e ndërmarrjeve mikro kanë një hua për të paguar, ndërsa 76% e tyre kanë raportuar se nuk kanë. 53% e ndërmarrjeve që kanë marrë hua, e kanë marrë nga bankat, ndërsa 34% e tyre e kanë marrë huanë nga një person fizik.

Huaja e marrë është përdorur më së shumti për të përballuar shpenzimet korrente të tyre.
55% e ndërmarrjeve janë shprehur se përgjithësisht nuk kanë vendosur një kolateral për huanë e marrë. Ndërsa ato që kanë vendosur një pasuri të patundshme (51% e ndërmarrjeve) kanë pohuar se vlera e kolateralit është nën 100% të vlerës së huasë.

Barra e huasë (për 55% e ndërmarrjeve) është sa 20% e totalit të të ardhurave, ndërsa për 33% të ndërmarrjeve luhatet në nivelin e 20-50% e të ardhurave. Për 12% të ndërmarrjeve barra e huasë është mbi nivelin e 50-80% të totalit të ardhurave. Përgjithësisht, barra e huasë vlerësohet relativisht e shtrenjtë.

Të pyetur mbi pritjet e tyre gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2017, 42% e ndërmarrjeve mikro presin që shitjet të ngelin të pandryshuara, 37% presin që shitjet e tyre do të rriten, dhe 21% pohojnë se shitjet do të ulen.

Ndërsa gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2017, 43% e ndërmarrjeve presin që rezultati financiar të mbetet i pandryshuar, 40% e tyre presin rritje të rezultatit financiar dhe 18% presin që rezultati financiar të ulet.

Ndërmarrjet mikro kanë një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit. Ato punësojnë mesatarisht 35% të totalit të punësuarve dhe kontribuojnë në 16% të vlerës së shtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë